Kryetari i Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, Adem Çuçul, në emisionin “Click Plus” në TV21 theksoi se lufta kundër korrupsionit duhet të jetë përgjegjësi e përbashkët e të gjitha institucioneve, por edhe e vetë qytetarëve, duke nënvizuar nevojën për ndryshim të qasjes shoqërore ndaj këtij fenomeni.

“Sipas meje, të dy raportet janë të qarta dhe në njëfarë mënyre përputhen. Ato duhet të na shërbejnë si udhërrëfyes, jo vetëm për KSHPK-në, por për të gjitha organet shtetërore”, deklaroi Çuçul, duke iu referuar vlerësimeve ndërkombëtare për gjendjen e korrupsionit në vend.

Ai u bëri thirrje të drejtpërdrejtë qytetarëve që të përfshihen aktivisht në përballjen me korrupsionin dhe të raportojnë rastet me të cilat përballen në jetën e përditshme.

“I inkurajoj të gjithë qytetarët të denoncojnë korrupsionin dhe t’i kundërvihen atij në përditshmëri. Është bërë një lloj mentaliteti, mënyrë jetese, që një punë duhet ta kryejmë përmes ryshfetit – ta zgjidhim me një ‘mito të vogël’ – për të përfunduar edhe çështjen më të thjeshtë që institucionet duhet të na e ofrojnë sipas ligjit”, theksoi Çuçul.

Sipas tij, pikërisht tolerimi i të ashtuquajturit “korrupsion i vogël” krijon një ambient ku praktikat e paligjshme normalizohen dhe bëhen pjesë e përditshmërisë.

“Të gjithë aktorët duhet të bëhemi pjesë e luftës kundër korrupsionit. Vetëm kështu mund t’i përmirësojmë vlerësimet dhe të ecim përpara drejt standardeve evropiane”, nënvizoi kryetari i KSHPK-së, duke shtuar se Komisioni mbetet i hapur për denoncime të drejtpërdrejta nga qytetarët.