Kryeministrat e Danimarkës dhe Grenlandës kanë lëshuar të hënën një deklaratë të përbashkët përmes së cilës kanë kërkuar respekt për kufijtë e shteteve të tyre pasi presidenti amerikan, Donald Trump emëroi një të dërguar special në territorin danez kryesisht vetëqeverisës, për të cilin ai e ka thënë vazhdimisht se duhet të jetë nën kontrollin e SHBA-së.

“E kemi thënë shumë qartë më parë. Tani e themi përsëri: nuk mund të aneksoni vende të tjera”, thuhet në deklaratën e kryeministres së Danimarkës, Mette Frederiksen dhe të Grenlandës, Jens-Frederik.

Në deklaratë thuhet më tej se “parimet themelore” janë në rrezik.

“Grenlanda u përket grenlandezëve dhe SHBA-ja nuk duhet ta pushtojë Grenlandën”, kanë thënë të dy udhëheqësit. 

“Ne presim respekt për integritetin tonë të përbashkët territorial”, vazhdon deklarata.
Trumpi të dielën ka emëruar guvernatorin e Luizianës, Jeff Landry, si të dërguar special të SHBA-së në ishullin e madh Arktik të pasur me minerale. Presidenti amerikan ka thënë disa herë se SHBA-ja duhet ta blejnë Grenlandën për arsye sigurie, ndërsa ka refuzuar të përjashtojë përdorimin e forcës.

Landry, një ish-prokuror i përgjithshëm i shtetit i cili mori detyrën si guvernator i Luizianës në janar 2024, falënderoi Trumpin, duke thënë se ishte një nder “të shërbente në këtë pozicion vullnetar për ta bërë Grenlandën pjesë të SHBA-së”.

Ministri i jashtëm i Danimarkës, Lars Løkke Rasmussen, i ka thënë televizionit danez të hënën se do të thërriste ambasadorin e Uashingtonit në Kopenhagë, Ken Hoëery, në ministri në ditët në vijim “për të marrë një shpjegim”.

Rasmussen ka shtuar se ishte “thellësisht i mërzitur nga ky emërim i një të dërguari të posaçëm” dhe “veçanërisht i mërzitur” nga deklarata e Landryt, të cilën ai tha se Danimarka e shihte si “krejtësisht të papranueshme”.

“Për sa kohë që kemi një mbretëri në Danimarkë që përbëhet nga Danimarka, Ishujt Faroe dhe Grenlanda, nuk mund të pranojmë që ka nga ata që minojnë sovranitetin tonë”, ka deklaruar Rasmussen.

Ndërkaq, zëdhënësi i BE-së, Anouar El Anouni, ka thënë në Bruksel se integriteti territorial i Mbretërisë së Danimarkës është “thelbësor”.