Me etapën e pestë Vlorë-Fier, 122km e gjatë, ka përfunduar sot në qytetin e Fierit edicioni nr.83 i Turit Çiklistik. Kjo etapë, që mbylli gjithë eventin më të madh të bicikletës në vendin tonë, u fitua nga ciklisti i kombëtares shqiptare Gabriele de Fabrittis.
Ai arriti të triumfojë në sprintin final, duke prerë i pari vijën e finishit. Ky është suksesi i parë i ekipit tonë kombëtar në turneun e shtëpisë, ndërkohë që i gjithë Turi u fitua nga ciklisti holandez Niels Reemeijer.
Praktikisht, suksesi i Reemeijer në etapën e katërt, atë më të vështirë Vlorë-Himarë-Vlorë, i dha edhe titullin. Sot, holandezi u mjaftua me kontrollin e garës, duke triumfuar në renditjen e përgjithshme dhe mbajtur të veshur fanellën e verdhë të liderit.
Etapa e pestë ishte tërësisht fushore, ndaj ciklistët mbërritën të gjithë në grup në finish. De Fabrittis arriti të mposhtë në sprintin final grekun Georgios Bouglas (i dyti) dhe rumunin Alin Toader (i treti). Në fund, FSHÇ shpërndau trofetë për fituesit.
Turi 83-të Çiklistik
Etapa 1, Tiranë – Lezhë, 177km, Kjell Cooman
Etapa 2, Lezhë – Elbasan, 150km, Samuel Fedor
Etapa 3, Elbasan – Vlorë, 172km, Guillaume Haldimann
Etapa 4, Vlorë – Vlorë, 148km, Niels Reemeijer
Etapa 5, Vlorë – Fier, 122km, Gabriele de Fabrittis
The post De Fabrittis i dhuron Shqipërisë fitoren e parë, holandezi Reemeijer fiton Turin e 83-të Çiklistik appeared first on Telesport.
