Atmosferë e tensionuar, në të cilën deputetët e kampeve të kundërta politike i drejtoheshin njëri-tjetrit me thirrje dhe replika, si dhe debatonin hapur, gjë që në disa momente bëri që seanca mbikëqyrëse të ndërpritej për të qetësuar situatën.

Kryeministri Mickoski ishte i pari që u ul para deputetëve për t’iu përgjigjur pyetjeve në seancën mbikëqyrëse për Alta Bankën. Në fillim, ai tha se nuk mund ta kuptonte se në çfarë cilësie ishte ftuar në këtë seancë dhe pse ishte thirrur pikërisht ai.

“Ju keni përgjegjësi të drejtpërdrejtë dhe më të madhe politike për atë që ndodhi në vendin tonë me Alta Bankën”, iu përgjigj në njëfarë mënyre kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, i cili më pas e pyeti Mickoskin nëse kishte ndikuar në ardhjen e bankës në vend dhe cilat ishin lidhjet e tij me Davor Macurën, pronarin e Alta Bankës nga Serbia.

“Ju lejuat që këtu të hyjë një bankë me para të ndaluara në të gjithë Evropën dhe botën pas fillimit të luftës në Ukrainë. Kapitali rus është i ndaluar kudo, ndërsa ju lejuat që Alta Banka, me para të tilla, të blejë një bankë tonën. Çfarë i thatë saktësisht guvernatorit, të cilit, siç duket, i keni dhënë urdhër ose miratim kur ju ka pyetur se çfarë të bëjë me Alta Bankën dhe hyrjen e saj në vendin tonë?”, theksoi Filipçe

Vendimi për hyrjen e Alta Bankës daton që nga viti 2023, në kohën kur në pushtet ishin LSDM-ja dhe BDI-ja, u përgjigj kryeministri Mickoski, duke paraqitur një dokument nga seanca e Qeverisë në të cilën ishte diskutuar për këtë bankë.

“Që në vitin 2023, Qeveria e LSDM-së dhe BDI-së, në një seancë qeveritare, i jep udhëzim Avokaturës së Shtetit që të hyjë në marrëdhënie afariste me Alta Bankën, me të njëjtin pronar, Davor Macura. Prandaj, shtrohet pyetja nëse ata në atë kohë e dinin se kush ishte Davor Macura apo, kur vendosën t’ia shisnin aksionet që shteti i zotëronte në bankën që po e blinte Davor Macura, kishin dijeni se bëhej fjalë gjithashtu për kapital rus”, deklaroi Mickoski

Ndërkaq, Adnan Azizi nga VLEN-i e pyeti Mickoskin se cila është lidhja e BDI-së me rastin e Alta Bankës.

“Më 17 shtator 2025, aksionet e kompanisë së krushkut të Ali Ahmetit i janë shitur Alta Bankës. A do të hetohen edhe këto transaksione të kësaj kompanie, duke qenë se BDI-ja është e lidhur me këtë rast? BDI-ja paratë e pista që ua vjedh qytetarëve i mban në Alta Bankë, e cila çdo ditë fiton kamatë dhe interes”, tha Azizi

“Unë nuk kam të dhëna zyrtare se kush janë pronarët dhe kush i ka tjetërsuar aksionet e kështu me radhë. Supozoj se për këtë duhet të përgjigjet ndonjë institucion tjetër. Ajo që ju përmendni, i nderuar deputet Adnan Azizi, është një lajm të cilin edhe unë e kam lexuar në media dhe në opinionin publik”, tha Mickoski

Në fjalën e tij, guvernatori i Bankës Popullore, Trajko Sllaveski, tha se para hyrjes së bankës në vend, për të gjitha personat ishin kryer të gjitha kontrollet e nevojshme përmes platformave ndërkombëtare globale dhe se informacionet dhe dokumentet e siguruara në asnjë mënyrë nuk tregonin për ekzistimin e pengesave për dhënien e pëlqimit.