Debati publik për dhënien e hapësirës së zjarrfikësve me partneritet publiko-privat ka përplasur sërish këshilltarët opozitarë dhe ata të pushtetit në Tetovë. Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, deklaroi se bëhet fjalë për një studim fizibiliteti me tre alternativa, ku varianti i tretë është më i përshtatshmi dhe do të zgjidhet opsioni më i favorshëm për komunitetin.
“Pra, bëhet fjalë për studim fizibiliteti, i cili ofron tre alternativa dhe nga vetë studimi del që alternativa e tretë është më e përshtatshme për Komunën e Tetovës. Në bazë të alternativës së tretë, është paraparë vlerësimi i ofertave në bazë të katër kritereve bazë. Fillimisht është kriteri i përqindjes që i ofrohet Komunës së Tetovës si kompensim për tokën që do t’i japë investitorit privat në kuadër të këtij rasti. Dhe sigurisht duhet të sqaroj edhe këtu që tërheqja prej 15% si kompensim për tokën është përqindja minimale…”, tha Kasami
Megjithatë, mungesa e përpiluesve të këtij plani bëri që këshilltarët e opozitës ta lëshojnë debatin, duke pretenduar se edhe vetë hartuesit kanë hequr dorë nga ky studim.
“Pasi përpiluesi nuk është në gjendje ta mbrojë publikisht studimin e tij, edhe kryetari i komunës të tërhiqet nga ky plan i shit-vjedhjes që u bëhet tetovarëve. Në të njëjtën kohë i bëj apel: nëse ia ka mësyrë ndërtimit, mund të dalë në sektorin privat, të merret me ndërtim si ata funksionarët e mëparshëm të BDI-së. Nëse ka aq shumë qejf tregtinë me pronat, mund ta formojë një agjenci për patundshmëri… Mirëpo, marrja e funksionit kryetar i komunës nuk ia jep të drejtën të tregtojë me pronën publike të tetovarëve”, tha Agron Arifi
Përplasjet vazhduan edhe nga këshilltarët e tjerë të opozitës, të cilët kritikuan edhe bojkotin e këshilltarëve të BDI-së.
“Aty u desh të vihej për t’i respektuar qytetarët që kishin pyetje, për t’u treguar se si ka tentuar që me këtë studim ta vjedhë qytetin dhe Komunën e Tetovës. Ndërsa për ne ishte e befasishme edhe heshtja e këshilltarëve të BDI-së, të cilët zgjodhën që ta amnistojnë këtë tentim vjedhjeje duke mos marrë pjesë në këtë debat, i cili debat ishte i thirrur pikërisht me kërkesën e tyre të dhunshme në seancën e kaluar”, tha Arlind Murtezani.
Seanca e 19-të e Këshillit Komunal të Tetovës mbeti e përgjysmuar me qëllim që paraprakisht të mbahej ky debat publik. Kjo erdhi pasi opozita bllokoi punimet e Këshillit, i cili kishte rreth 20 pika në rendin e ditës.
