Alarmet për mjete shpërthyese në shkollat fillore dhe të mesme edhe sot i lanë pa mësim nxënësit e Tetovës! Përderisa Ministria e Punëve të Brendshme dhe organet e tjera të sigurisë së shtetit nuk po i gjejnë denoncuesit e rrejshëm, nxënësit do të vazhdojnë të humbin procesin mësimor.

Nga Sektori për Arsim pranë Komunës së Tetovës thonë se kanë dërguar kërkesë deri te SPB-Tetovë që të konfirmojnë se procesi mësimor mund të vazhdojë, por kjo do të vlejë vetëm për sot. E nëse nesër paraqitet i njëjti rast, nxënësit përsëri duhet të nxirren nga shkollat dhe të presin deri sa SPB ta kontrollojë shkollën dhe të konstatojë se bëhet fjalë për alarm të rrejshëm.

Nazmi Dauti nga Sektori për Arsim tha se sapo të qetësohet situata me denoncimet e rrejshme, do të shqyrtojnë mundësinë për zëvendësimin e orëve dhe ditëve të humbura.

“Ju bëjmë thirrje dhe nxënësve arsimtarëve si dhe prindërve që jemi dakorduar dhe me organet e rendit dhe drejtorët e shkollave fillore dhe të mesme të komunës së Tetovës ku gjatë një alarmi të rrejshëm për bombë organet e rendin bëj evakuimin e nxënësve dhe të njëjtit largohen nga objekti, dhe të njëjtit do të duhet të presin në oborret shkollave deri në konfirmimin zyrtar nga themeluesi komuna e Tetovës dhe organi rendit për vazhdimin apo mos vazhdimin e procesit edukativ-arsimor”, tha Nazmi Dauti.