Me 63 vota “për”, shtatë “kundër” dhe asnjë “i përmbajtur”, deputetët në seancën e sotme e zgjodhën Goce Naumovskin për gjyqtar të ri kushtetues, përcjell TV21. Pas votimit, Naumovski dha deklaratën solemne në Kuvend, me të cilën u zotua se funksionin do ta kryejë me ndërgjegje dhe përgjegjësi dhe se do ta respektojë Kushtetutën dhe ligjet.

Zgjedhja e Naumovskit vjen pasi profesoresha Jadranka Daboviq-Anastasovska në dhjetor të vitit të kaluar dha dorëheqje nga funksioni i gjyqtares kushtetuese për arsye shëndetësore dhe personale.

Ndryshe, Goce Naumovski është profesor i rregullt në katedrën e së drejtës romake në Fakultetin Juridik “Justiniani i Parë” pranë Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” – Shkup dhe është një nga bashkëpunëtorët e jashtëm të kryeministrit Hristijan Mickoski nga fusha e së drejtës. Ai është vëllai i ish-zëvendëskryeministrit për eurointegrime në një nga qeveritë e mëparshme të VMRO-DPMNE-së, Vasko Naumovski.

Naumovski për gjyqtar kushtetues u propozua nga kryetari i Komisionit parlamentar për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve, Gjorgjia Sajkoski nga VMRO-DPMNE, i cili theksoi se ai ka një biografi mbresëlënëse dhe kredibilitet për gjyqtar kushtetues dhe se do ta mbrojë Kushtetutën dhe interesat e qytetarëve. Komisioni, pa diskutim dhe me shumicë votash, e përcaktoi profesorin si propozim për gjyqtar kushtetues.