Trajneri i Francës, Didier Deschamps, vlerësoi skuadrën e tij pas fitores bindëse ndaj Irakut. Në përfundim të ndeshjes së zhvilluar në Filadelfia, ai deklaroi: “Në pjesën e dytë e kontrolluam plotësisht lojën, duke pasur parasysh se nuk ishte një sfidë e lehtë për shkak të asaj që kishte ndodhur. Megjithatë, mbyllja përfundimtare e çështjes së kualifikimit është shumë pozitive. Jemi kualifikuar që sonte, edhe pse ndeshja e tretë ndaj Norvegjisë do të jetë vendimtare për pozicionin tonë përfundimtar në grup”.

Pikërisht për Deschamps erdhën edhe fjalët e vlerësimit nga këshilltari i lartë i “RedBird” te Milani, Zlatan Ibrahimoviç, i cili është opinionist për “Fox Sports” gjatë këtij Botërori: “Kemi parë pak lojtarë të jashtëzakonshëm që janë bërë edhe trajnerë të jashtëzakonshëm. Ai ka fituar tashmë një Kupë Bote, ka fituar një ‘Nations League’, ka humbur një finale të Kampionatit Europian dhe një finale të Kupës së Botës…”

Më pas suedezi shtoi një mesazh për ata që, sipas tij, e nënvlerësojnë punën e trajnerit francez: “Njerëzit mendojnë se është e lehtë, sepse ka shumë yje në fushë, por nuk është aspak kështu. Kur ke kaq shumë yje, duhet të jesh shumë i aftë t’i drejtosh dhe të mbash kontrollin e grupit”.

The post Deschamps merr vlerësime nga Ibrahimovic: Trajner i jashtëzakonshëm, njerëzit mendojnë se është e lehtë… appeared first on Telesport.