Ka dështuar sërish konstiuimi i Kuvendit të Kosovës në tentimin e 52-të që u bë sot. Kryesuesi i seancës, Avni Dehari ftoi partitë e ish opozitës për të propozuar kandidatë për formimin e komsionit të votimit të fshehtë për kryeparlamentar. PDK, LDK dhe AAK sërish nuk patën propozim për kandidatë, teksa votimi i këtij komisioni nuk kaloi. Komisioni mori 54 vota për, teksa PDK, AAK dhe LDK nuk morën pjesë në këtë votim. Në seancën e sotme morën pjesë edhe ambasadorët e vendeve mike të Kosovës. Ambasadori i BE-së në Kosovë, Aivo Orav, u shpreh i zhgënjyer që deputetët nuk arritën sërish ta konstatojnë Kuvendin. Ndërkaq, ambasadori gjerman Jorn Rohde e cilësoi situatën si shqetësuese.
“Ne erdhëm me shpresë të madhe këtu dhe fatkeqësisht asgjë nuk ndodhi sërish. Kosovës i nevojitet një Kuvend menjëherë, i duhet një qeveri e re që do ta ndërtonte një urë të re të fortë mes Kosovës dhe Brukselit që ta përshpejtojë rrugëtimin e sa drejt BE-së”, tha Aivo Orav, Ambasador i BE-së në Kosovë.
“Klasa politike po e zhgënjen popullin e vet dhe është shumë shqetësuese. Vendimi i gjykatës ishte, nëse flasim me gjuhën e futbollit mund të themi si një karton i kuq sepse po e pezullon Parlamentin që të marrë vendime”, tha Jorn Rohde, Ambasador i Gjermanisë në Kosovë.
Ndërkohë kryesuesi Avni Dehari, caktoi seancën e radhës, të 53-tën në ditën e fundit të skadimit të afatit për konstituimin e Kuvendit të Kosovës në bazë të aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese. Kushtetuesja ka caktuar masën e përkohshme përmes të cilës ndalohet çdo vendim dhe veprim i deputetëve të zgjedhur lidhur me seancën konstituive pas përfundimit të afatit 30 ditor, dhe se nuk do të mund të marrin asnjë vendim tjetër nga 27 korriku deri më 8 gusht./Alsat.mk
The post Dështimi i 52-të i konstituimit të Kuvendit të Kosovës ka nxitur reagime të ashpra nga përfaqësuesit ndërkombëtarë, të cilët e cilësuan situatën si të papranueshme appeared first on Alsat.
