Dhjetra raste në spital për shkak të dëmeve nga pijet energjike

Brenda një jave nëpër Klinikat e Shkupit, kanë kërkuar ndihmë me dhjetra raste. Fatëkeqësisht pacientët janë fëmijë dhe adoleshent, të cilët vinë me shtypje të lartë, takikardia, dridhjet e duarve dhe shumë probleme të tjera shëndetësore që bëhen çdo ditë e më të zakonshme tek të miturit, njofton mjeku, Sedat Lumani.

Lumani: Pacientët janë fëmijë me sthypje të lartë

Shkaktar i këtyre shqetësimeve janë pijet energjike, të cilat konsumohen pa asnjë kontroll, duke rrezikuar seriozisht shëndetin.

“Për fat të keq, ka mjaft raste, sidomos tek fëmijët. Por do të veçoj disa që përfundojnë nëpër klinika. Bëhen ekzaminime të ndryshme, por pa marrë anamnezën e saktë, sepse ata nuk e dinë pse, por kërkojnë një arsye për një takikardi që është mbi 150, që është një shtypje jo normale tek fëmijët. Dyshohet mos ketë sëmundje organike, siç është zemra ose veshkët. Kur ekzaminohen, ato janë në rregull, simptomatologjia mbetet e njëjtë, dhe nga anamneza e mëparshme vërehet se fëmija konsumon 5–6 ose më shumë pije energjike.” – tha mjeku i përgjithshëm, Sedat Lumani.

Xaka Jonuzi Çeliku, nënë e dy fëmijëve, shprehet e shqetësuar për këtë trend dhe një pjesë të fajit ua adreson prindërve.

“Sipas mendimit tim, kjo pije energjike ka pasur një përhapje aq të madhe sa që tashmë filloi të shërbehet nëpër shtëpi për mysafirët. Mua më ka rënë në sy nëpër markete të ndryshme; tek shportat ku është sheqeri, kripa, vaji, shoh edhe 10 apo 15 kanaçe. Pra, këtu është një problem më i madh, sepse fëmija ka qasje në shtëpi, pasi kjo pije i shërbehet aty. Disa prindër ndoshta presin që dëmi të reagojë menjëherë dhe të vetëdijesohen se vërtetë është i dëmshëm ky konsum.” – u shpreh Xaka Jonuzi Çeliku, prind.

“Përgjegjësinë më të madhe e kanë prindërit, të cilët duhet të bindin fëmijët që këto pije nuk duhet t’i konsumojnë për arsye shëndetësore. Ndoshta shija e tyre është tërheqëse, por ka efekte anësore që shkaktojnë probleme në shëndet.” – thotë mjeku i përgjithshëm, Sedat Lumani.

E shtyrë nga ndjenja e një nëne, Xaka Jonuzi Çeliku përpiqet ta luftojë këtë fenomen me të gjitha forcat e veta. Ajo nuk qëndron indiferente aty ku mund të ndërmarrë diçka dhe kërkon mobilizim më të madh dhe veprim konkret nga institucionet kompetente.

“Kam parë fëmijë të klasës së tretë që shkojnë në dyqan për të blerë kanaçe. Reagoj edhe pse nuk është fëmija im, sepse duke qenë indiferentë ndihmojmë që ky fenomen të vazhdojë. U them fëmijëve: thirrni mamin tuaj, sepse kur të dilni jashtë do t’i pini këto. Fatkeqësisht, edhe shitësit e dyqaneve nuk shqetësohen për këtë gjë. Qasja në këto pije është shumë e lehtë, sepse janë edhe me çmime të lira. Ka mungesë kontrollesh nëpër markete, pra problemi është zinxhir dhe mund të çojë deri në pasoja fatale.” – theksoi Xaka Jonuzi Çeliku, prind.

Rregullimi me ligj dhe zbatimi në terren i shitjes së pijeve energjike, si dhe kufizimi i qasjes për të miturit, shihet si një hap i domosdoshëm për mbrojtjen e shëndetit publik, shprehet Xaka Jonuzi Çeliku, e cila thekson se pa vetëdijesim të prindërve dhe shoqërisë, ky fenomen do të vazhdojë të marrë përmasa shqetësuese.