Gazetare: Ajnur Bafqari
27 prilli kthehet sërish në fokus politik. Nëntë vite nga ngjarjeve të dhunshme në Kuvend, narrativat mbeten të ndara. Njëra palë flet për procese të montuara dhe padrejtësi, ndërsa pala tjetër paralajmëron për rikthim të strukturave dhe praktikave të së kaluarës.
Kryeministri Hristijan Mickoski, vlerëson se rasti i 27 prillit ka qenë i ndikuar politikisht dhe se, sipas tij, përgjegjësia reale nuk është trajtuar siç duhet, ndërsa persona të pafajshëm janë dënuar për terrorizëm.
“Bëhet fjalë për rast të montuar politik nga ana e pushtetit të kaluar, rast ku sipas meje njerëz të pafajshëm janë shpallur terroristë, të pafajshëm për terrorizëm, por ata kishin bërë një gjë të caktuar dhe duhej të përgjigjen për atë që e kanë bërë, por për fat të keq ata janë përgjigjur për terrorizëm. Sa u përket informacioneve tjera të atij momenti, vetë prokurorët dhe gjykatësit dëshmojnë për procese të rreme, për shantazhe të prokurorëve, gjykatësve, urdhra politik, si të gjykohet”- theksoi kryeministri Hristijan Mickoski
Nga ana tjetër LSDM thekson se pas nëntë vitesh nga dhuna në Kuvend, shteti përsëri po përballet me tendencat e njëjta të rrezikshme që çuan në një nga ditët më të zeza të demokracisë së vendit. Bogdanka Kuzeska, akuzon për përpjekje për rehabilitim të të dënuarve, ndërsa nënvizon se nën udhëheqjen e Mickoskit, vendi po shtyhet përsëri drejt një shteti të robëruar.
“Hristijan Mickoski, atë ditë ishte para Kuvendit. Nëntë vite më vonë, në vend të një drejtësie të plotë, jemi dëshmitarë për tentime për rehabilitim të turpshëm të dhunuesve. Pas ardhjes së VMRO-së kriminale në pushtet, persona të dënuar për 27 prillin lëshohen nga burgu me vetëm një nënshkrim. Njëkohësisht, personat e njëjtë dhe rrjetet e njëjta përsëri aktivizohen. Asgjë nuk ka ndryshuar në VMRO, kjo është struktura e njëjtë që përsëri dëshiron të shkelë mbi lirinë dhe demokracinë,“- nënvizoi zëdhënësja e LSDM-së, Bogdanka Kuzeska
LSDM rikujton se dhuna në Kuvend ishte një tentim i organizuar për grusht-shteti, mbrapa të cilit ka qëndruar VMRO-DPMNE dhe kreu i atëhershëm politik, Nikolla Gruevski. Kuzeska rikujtoi në skenat e dhunës në shtëpinë ligjvënëse ku u sulmuan deputetë, gazetarë e shërbime të Kuvendit./ Alsat.mk
The post Dhuna në Kuvend, Mickoski kërkon rigjykim të rastit appeared first on Alsat.
