Kanë përfunduar dy ndeshjet e radhës në Abissnet Superiore, të vlefshme për javën e 10-të. Në “Elbasan Arena”, u përplasën Dinamo dhe Teuta, dy ekipe me pretendime të mëdha për këtë sezon, por në fund u mjaftuan me nga një pikë, pas rezultatit 0-0.
Pjesa e parë nuk pati shumë raste dhe u mbyll me porta të paprekura. Në minutën e 61-të, Bekim Maliqi merr kartonin e dytë të verdhë, këtë herë për simulim dhe e lë Dinamon me 10 lojtarë. Rezultati nuk ndryshoi deri në fund. Dinamo mban vendin e tretë me 18 pikë, Teuta vendin e pestë me 15 pikë.
Në Vlorë, u përballën Flamurtari dhe Elbasani, ku në fund verdheblutë fituan 0-1. Ndeshja nisi me pesë minuta vonesë për shkak të tymit të flakadanëve të hedhur nga tifozët vendas. Flamurtari e nis vrullshëm dhe pretendon për penallti që në minutën e tretë, për prekje të topit me dorë brenda zonës, por arbitri kryesor vazhdon normalisht takimin.
Në minutën e 11-të, ka tension në shkallët e stadiumit mes dy tifozerive, ndërhyn edhe policia. Pjesa e parë mbyllet pa gola. Rezultati do të zhbllokohej në minutën e 60-të, ku Xhonathan Lajthia do të shënonte me kokë pas një topi të ardhur nga goditja e këndit.
Në minutën e 75-të, Flamurtari pretendon për një tjetër penallti, për prekje të topit me dorë brenda zonës, por arbitri vazhdon lojën normalisht.
Në minutën e 80-të, arbitri jep më në fund penallti për vendasit për një prekje të topit me dorë, por ndërron mendje pas ndërhyrjes së VAR-it dhe anulon vendimin e mëparshëm. Protesta të mëdha te vlonjatët, Lorenc Trashi ndëshkohet me të verdhë. Rezultati final, 0-1. Elbasani merr kreun me 20 pikë, ndërsa Flamurtari mbyll renditjen në fund me 5 pikë.
The post Dinamo-Teuta, shumë zhurmë për asgjë… Elbasani bën “ligjin” në Vlorë dhe merr kreun e renditjes appeared first on Telesport.

                    