Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë edhe këtë vit e shënoi me protestë 1 Majin – Ditën e Punës. Protesta filloi para ndërtesës së Lidhjes së Sindikatave, vazhdoi drejt Kuvendit, më pas para Odës Ekonomike dhe përfundoi para Qeverisë. Sindikalistët me kërkesa të qarta: pagë minimale më e lartë, respektim i marrëveshjeve kolektive dhe mbrojtje më e mirë e punëtorëve në vendet e tyre të punës. Paralajmëruan se gjendja është serioze. Vetëm në vitin 2025, 31 punëtorë kanë shkuar në punë dhe nuk janë kthyer në shtëpi. Kanë vdekur. Nga protesta, sindikatat dërguan mesazhe edhe për sindikatat që vendosën të mos protestojnë, por edhe për punëdhënësit.
“Hajdutë, hajdutë
Turp dhe mallkim për çdo gënjeshtër si nga ana e punëdhënësve ashtu edhe nga përfaqësuesit e pushtetit për të gjitha këto 35 vite shtet. Sot dhe këtë vit festojmë 80 vjet ekzistencë të Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë. Nuk do të lejojmë të na merret ajo që dikush para nesh e ka ndërtuar apo ajo që planifikojmë ne me gjeneratën tonë ta ndërtojmë”, tha Ivan Peshevski – nënkryetar i LSM-së për sektorin privat.
Protesta, e cila këtë vit kishte numër më të vogël pjesëmarrësish, përfundoi në vendin e njohur për ankesa dhe pakënaqësi të sindikalistëve.
“Kulmi i protestës së sotme të 1 Majit ishte para Qeverisë. Lideri i sindikatës Sllobodan Trendafilov dërgoi mesazhe për qytetarët që sot nuk deshën të vijnë dhe të japin mbështetje për protestën që i kushtohet kërkesës për pagë minimale më të lartë”, raporton gazetari i TV21, Goran Temenugov.
Trendafillov tha se nga e hëna qytetarët do të përballen me realitetin e ashpër.
“Më 4 maj, të hënën, të gjithë ne, të gjithë ata, të gjithë që shkuan në vikend të zgjatur, të gjithë që na duartrokasin rrugës deri këtu, të gjithë që shikojnë nga ballkonet, të gjithë që do të na shohin në lajmet në televizion, do t’i godasë realiteti i ashpër në kokë. Dhe ai është: përsëri paga minimale më e ulët në Evropë, përsëri paga mesatare më e ulët në Evropë, përsëri përpjekje për shkatërrimin e negociimit kolektiv, përsëri përpjekje për shkatërrimin e sindikatave që luftojnë, e jo që luten”, u shpreh Slobodan Trendafilov – kryetar i LSM.
Sipas sindikatave, gjysma e popullatës punëtore në Maqedoni jeton me pagë nën 600 euro, ndërsa një e treta është nën pragun e varfërisë. Ndërkaq, siç mund ta keni vërejtur, në këtë kronikë nuk ka anketa me të pranishmit. Këtë kronikë ua dedikoj të gjithë kolegëve gazetarë që edhe sot punuan dhe i përmbushën obligimet e tyre.
