Disa persona janë vrarë në të shtënat që kanë ndodhur pasditen e sotme në Cetinje, në jug të Malit të Zi.

Radio Televizioni i Malit të Zi njoftoi se të paktën shtatë persona kanë humbur jetën, por ende nuk ka një konfirmim zyrtar lidhur me numrin e viktimave.

Mediat lokale raportuan se të shtënat erdhën si pasojë e një zënke fizike në një kafene, pas së cilës sulmuesi ka përdorur armë zjarri.

“Vrasja e shumëfishtë ndodhi pasdite në një restorant në Bajice kur A.M. hapi zjarr ndaj disa personave”, tha Drejtoria e Policisë.

Policia ka apeluar te qytetarët e Cetinjës që të qëndrojnë të qetë dhe në objektet e tyre të banimit, ndërkohë që të gjitha njësitet policore në dispozicion janë në terren duke ndërmarrë aktivitete në kuadër të juridiksionit të tyre, me qëllim vënien nën kontroll të situatës dhe ndjekjen penale të autorëve.

“Njoftojmë opinionin publik se bëhet fjalë për një ngjarje situative, e cila nuk është pasojë e një konfrontimi mes grupeve të krimit të organizuar me rrezikshmëri të lartë. Për zgjidhjen e kësaj situate krize janë dërguar në terren njësitë speciale të policisë”, thuhet në njoftimin e policisë.