Dita e fundit e debatit amendamentues për propozim-ligjin për përfaqësim të drejtë. Në debat, deputetët e partive opozitare shqiptare nëpërmjet amendamenteve kërkuan korrigjimin e propozim-ligjit, por as sot zëvendëskryeministri Bekim Sali nuk u pranoi asnjë. Në një moment, mbledhjes së Komisionit iu dha pauzë me kërkesë të zëvendëskryeministrit Sali i cili, siç tha, duhej të shkonte në Qeveri në takim me delegacionin nga Lituania që po viziton vendin. Ndaj kësaj reagoi ashpër Ilire Dauti nga Lidhja Shqiptare.
“Nuk është justifikim që zëvendëskryeministri kishte punë të rëndësishme në Qeveri, sepse ajo që po bëjmë këtu është më e rëndësishme se çdo takim që mund të ketë zëvendëskryeministri. Ju e dini shumë mirë se ky është dita e fundit e shqyrtimit të amendamenteve. Unë nuk pranoj të ndërpritet puna këtu dhe të konsiderohet diçka tjetër më e rëndësishme. Duhet të gjendet një zgjidhje — zëvendëskryeministri e dinte në fakt axhendën dhe duhej ta rezervonte ditën për këtu. Kemi amendamente shumë të rëndësishme dhe insistoj që në çdo kusht debati këtu të vazhdojë pa ndërprerje”, tha Ilire Dauti nga Lidhja Shqiptare.
