Kandidatët për zgjedhjet lokale sot në ditën e katërt të fushatës do t’i prezantojnë programet e tyre në tubime dhe takime me qytetarë.

VMRO-DPMNE do të mbajë tubime në Karbinci (17:00), Çeshinovë Obleshevë (18:00), Zërnovc (19:00) dhe Vinicë (20:00).

Karvani i LSDM-së dhe Koalicionit do të jetë midis qytetarëve të Studeniçanit (17:30), Zelenikovës (17:30), Kisella Vodës (18:30) dhe Aerodromit (20:00).

Kandidati për kryetar të Shkupit nga radhët e VMRO-DPMNE-së, Orce Gjorgjievski, do të mbajë konferencë për shtyp në orën 12:00 në Hipodrom.

Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, së bashku me kandidatin për kryetar të LSDM-së dhe koalicionit, Martin Kostovski do të jenë midis qytetarëve të Kumanovës. Në orën 12:30, në qendër të Kumanovës, kryetari i LSDM-së do të japë deklaratë për mediat (lokacioni i saktë: Bulevardi Brigada e tretë maqedonase pranë tregut të qytetit).

Kandidatja për kryetar të Qytetit të Shkupit nga LSDM dhe koalicionit, Kaja Shukova, do të mbajë konferencë për shtyp në selinë e LSDM-së në orën 11:30 me temën: Top 20 projektet nga programi.

Kryetari aktual i komunës dhe kandidati për kryetar të komunës së Tetovës nga VLEN, Bilall Kasami do të mbajë konferencë për shtyp në orën 13:00 në Urban bllok 70 në Tetovë.

Partia e punëtorëve sot në orën 13:00 në vendbanimin Trubarevë pn. përballë pompës së benzinës Lukoil, do të promovojë kandidatin për kryetar të komunës së Gazi Babës, Tone Dimkovski dhe bartësin e listës së këshilltarëve, Vojo Petreski.

Fushata zgjedhore, e cila filloi të hënën, do të zgjat deri më 17 tetor në mesnatë, pas çka vijon heshtje 24-orëshe para votimit më 19 tetor, ndërsa rrethi i dytë do të mbahet më 2 nëntor.

Siç parashikon Kodi zgjedhor (neni 69a), për fushatë zgjedhore konsiderohet një tubim publik dhe ngjarje të tjera publike të organizuara nga një pjesëmarrës në fushatën zgjedhore, shfaqja publike e bilbordeve, video prezantime në vende publike, prezantimi zgjedhor në media dhe internet, shpërndarje e materialeve të shtypura dhe prezantimi publik i kandidatëve të konfirmuar nga autoritetet kompetente zgjedhore dhe programet e tyre.

Sipas Kodit zgjedhor, zgjedhjet lokale mbahen çdo katër vjet në gjysmën e dytë të tetorit. Vetëqeverisja lokale është e organizuar në 80 komuna dhe Qytetin e Shkupit si njësi e veçantë e vetëqeverisjes lokale. Brenda Qytetit të Shkupit funksionojnë 10 komuna, të cilat kanë kompetenca të përbashkëta me Qytetin. Zgjedhjet i shpall kryetari i Kuvendit duke miratuar një akt të publikuar në Gazetën Zyrtare. Zgjedhjet mbahen jo më herët se 70 dhe jo më vonë se 90 ditë nga data e shpalljes së zgjedhjeve.

Zgjedhje lokale në Maqedoni janë mbajtur në 1996, 2000, 2005, 2009, 2013, 2017 dhe 2021. 

Më shumë kandidatë për kryetar komunash ka për Qytetin e Shkupit- 16.