Me mesazhin se “verbëria e vërtetë nuk është në sy, por në pandjeshmërinë e zemrës”, presidentja Gordana Siljanovska-Davkova e hapi ngjarjen me rastin e 15 tetorit – Ditës Ndërkombëtare të Shkopit të Bardhë, përcjell TV21. Ajo theksoi se shkopi i bardhë është simbol i lirisë dhe dinjitetit, dhe se shoqëria duhet të krijojë kushte për jetë të pavarur dhe humane për personat me dëmtime të shikimit. Shkopi i bardhë, si simbol i personave të verbër, te ne është futur në vitin 1981, ndërsa Lidhja e të Verbërve ekziston pothuajse tetë dekada.
“Ai na mundëson ne, të çorientuarve, të orientohemi. Personat me dëmtim të shikimit çdo ditë na mësojnë se shikimi nuk është rruga e vetme që të çon drejt dritës. Ata e shohin botën përmes tingujve, prekjes, aromave dhe ngrohtësisë së njerëzve përreth tyre. Ata na kujtojnë se çdo pengesë mund të bëhet shteg, dhe çdo errësirë mund të bëhet një dritë e re”, tha Gordana Siljanovska-Davkova, presidente.