Komisioni për Financa dhe Buxhet ka miratuar me 10 vota “për” organizimin e një debati publik për Ligjin për lojërat e fatit dhe lojërat argëtuese, pa asnjë votë kundër apo të përmbajtur, transmeton TV21.
Vendimi u mor pas tre kërkesave të dorëzuara nga grupi parlamentar i LSDM-së, asociacioni APIS dhe përfaqësues të industrisë së lojërave të fatit në kuadër të Odës Ekonomike.
Asociacioni APIS e ka mirëpritur vendimin për debat publik, duke theksuar se për herë të parë u jepet mundësi sektorit të kontribuojë me ekspertizë në hartimin e ligjit.
Ata vlerësojnë se deri tani industria nuk është përfshirë mjaftueshëm në proces, ndonëse sipas tyre zbatojnë një nga ligjet më të rrepta në rajon dhe kanë përvojë të drejtpërdrejtë në këtë fushë.
Sipas propozim-ligjit aktual, parashikohen kufizime të rrepta për reklamimin e lojërave të fatit, përfshirë ndalimin e promovimeve që i paraqesin si rrugë drejt suksesit financiar, si dhe ndalimin e përdorimit të figurave publike dhe targetimit të të miturve.
Gjithashtu, objektet e lojërave të fatit duhet të jenë të paktën 500 metra larg shkollave, ndërsa brenda kësaj zone ndalohet vendosja e pajisjeve elektronike për lojëra fati./TV21
