Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka paralajmëruar një kundërpërgjigje të fortë amerikane ndaj Iranit, pas sulmeve iraniane ndaj forcave amerikane në Lindjen e Mesme.

Deklaratat e tij vijnë në një moment të tensionuar, pasi SHBA-ja dhe Irani kanë rifilluar shkëmbimin e drejtpërdrejtë të goditjeve ushtarake pas disa javësh relativisht të qeta.

Në një intervistë për Fox News, Trump u shpreh i prerë për reagimin e Uashingtonit ndaj sulmeve iraniane.

“Do t’i godasim fort. Do të ketë një përgjigje”, deklaroi presidenti amerikan, duke lënë të kuptohet se Shtetet e Bashkuara po përgatitin një reagim ushtarak ndaj Teheranit.

Deklaratat e Trump erdhën pasi Irani ndërmori sulme me raketa balistike ndaj pozicioneve të forcave amerikane në Jordani, ndërsa njëkohësisht u raportuan edhe sulme me dronë ndaj objektivave në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Sipas raportimeve, një pjesë e raketave iraniane u interceptuan nga sistemet mbrojtëse, duke parandaluar dëme më të mëdha ndaj bazave dhe personelit amerikan.

Sulmet iraniane u paraqitën nga Teherani si hakmarrje për goditjet e fundit amerikane ndaj objektivave iraniane.