Në lidhje me informacionin e publikuar nga TV21, ku shihet se si rruga “Dame Gruev”, ku gjendet edhe institucioni Kuvendi i Maqedonisë së Veriut, është mbuluar me dokumente, kanë reaguar nga ky institucion, duke mohuar se dokumentet iu përkasin atyre.

Nga Kuvendi thonë se problemi është shkaktuar gjatë transportit të dokumenteve të hedhura nga kompania e një institucioni tjetër që gjendet në po të njëjtën rrugë, pasi siç sqarojnë, ata synojnë përdorimin zero të letrës.

Reagimi i plotë dhe pa ndërhyrje:

Kuvendi synon përdorimin zero të letrës, përmes përmirësimit dhe zhvillimit të vazhdueshëm të proceseve të digjitalizimit. Sasia e vogël e letrës që përdoret nga Kuvendi, pas përdorimit, grumbullohet dhe ruhet në kontejnerë të mbyllur, të vendosur nga një kompani e licencuar. Këta kontejnerë ndodhen brenda një perimetri të siguruar, ndërsa letra dërgohet për riciklim nga kompania e licencuar.

Sa i përket ngjarjes konkrete, bëhet fjalë për transportimin e letrës nga një kompani, e cila e kishte marrë atë nga një institucion tjetër. Transportuesi nuk e kishte siguruar siç duhet ngarkesën në mjetin transportues, si pasojë e së cilës një pjesë e saj kishte rënë gjatë transportit, në afërsi të drejtpërdrejtë të Kuvendit.

Rrjedhimisht, sqarojmë se materialet nuk i përkasin Kuvendit dhe se ndotja e rrugës “Dame Gruev” ka ardhur si pasojë e një problemi teknik të një pale të tretë. Pas incidentit, rruga dhe sipërfaqet e gjelbra përreth janë pastruar.

Kuvendi vijon aktivitetet e tij të rregullta, duke respektuar procedurat për depozitimin e mbeturinave dhe riciklimin e materialeve, në përputhje me standardet dhe procedurat për mbrojtjen e mjedisit.