“Ja këtu, u prishën me domate me krejt, as frigo nuk punon as asgjë, nafta u harxhua…”
Transportues të fruta-perimeve ankohen se kanë mbetur të bllokuar në pikën kufitare Qafë Thanë, në pritje të rezultateve të analizave që institucionet relevante ua bëjnë prodhimeve bujqësore. Njëri prej transportuesve me të cilin biseduam na tha se është duke pritur më shumë se zakonisht, e me këtë po i rrezikohet malli, pasi po prishen.
“Unë jam këtu tre ditë, pres për t’u bërë analizat qenka prishur makineria e analizës atje, nuk e di unë. Unë kam ngarkesë hudhër, ullinjtë, domate, speca dhe pras. Mua më kanë marr analizë vetëm për domaten. Prej ditën e parë, ka tre ditë që e kanë marr analizat. Më as për keçap nuk bëhet më, se jo për diçka tjetër. Si të rri malli në frigorifer, nis të prishet malli. Sepse ai ngarkohet gjysmë i pjekur dhe duke ardhur deri në Shkup ai duhet të piqet. A kjo e ka kaluar të pjekurën, tani ka hyrë në atë fazën e të prishurës”, tha Ekrem Beluli, transportues.
TV21 me pyetje ju drejtua dy organeve që kryejnë analizat e nevojshme, Inspektoratit shtetëror të Bujqësisë dhe Laboratorit fitosanitar. Nga Inspektorati i Bujqësisë, Sektori për mbikëqyrje inspektuese në fushën e politikës fitosanitare, na thanë se punojnë sipas planit të punës së Inspektoratit Fitosanitar dhe nuk kanë afate kohore.
“Ky kontroll fitosanitar, përveç kontrolleve vizuale, përfshin edhe marrjen e mostrave për analiza lidhur me organizmat e dëmshëm si dhe mbetjet e produkteve fitofarmaceutike në produktet bujqësore të origjinës bimore. Analizat laboratorike kryhen në Laboratorin Shtetëror Fitosanitar, ku nuk ka afat të përcaktuar për dorëzimin e rezultateve dhe gjithmonë respektohet procedura dhe rendi i dorëzimit të mostrës, me qëllim që të sigurohen rezultate të sakta dhe të besueshme”, sqaruan nga Inspektorati Shtetëror i Bujqësisë.
Edhe drejtoresha e Laboratorit shtetëror Fitosanitar, Suzana Jordanovska, në përgjigje për TV21, konfirmoi se nuk kanë afat fiks, por punojnë me parimin “sa më shpejt të jetë e mundur”; por ajo zbuloi po ashtu se kësaj here vonesa për rezultatet e analizave të fruta-perimeve po ndodh për shkak se aparatura është jashtë funksioni. Siguron se shumë shpejt do të rregullohet.
“Sot instrumenti po rregullohet nga teknikë nga Beogradi. I njëjti do të vihet në funksion që sot. Që të arrijmë të analizojmë mostrat e sjella, do të punojmë edhe gjatë festës. Kjo do të thotë se për mostrat e analizuara, rezultatet do të dorëzohen të premten. Po bëjmë përpjekje mbinjerëzore për të vënë në funksion instrumentin, sepse kemi kujdes për importuesit dhe klientët tanë”, tha Suzana Jordanovska, drejtoreshë e Laboratorit Shtetëror Fitosanitar.
TV21 me pyetje iu drejtua edhe ministrit të bujqësisë, Cvetan Tripunovski, nëse parashihet dëmshpërblim ndaj transportuesve në rast se prodhimet bujqësore prishen për shkak të vonesave të analizave, por përgjigje nuk morëm.
