Në gati 4 vitet e tij te PSG, Donnarumma ka fituar gjithçka në Francë, por shpesh ka përfunduar nën kritika për ndonjë gabim të tepërt. Megjithatë, Gigio Donnarumma nuk është dorëzuar kurrë, ka vazhduar të punojë me intensitet dhe me pritjet e tij të jashtëzakonshme i ka çuar parizienët thuajse deri në finalen e Ligës së Kampionëve.
Akoma ka ndeshjen e kthimit gjysmëfinale për ta luajtur, por nëse PSG nuk pësoi gol kundër Arsenalit në Londër, kjo është kryesisht për meritat e tij. Italiani bëri dy ndërhyrje (pritje) të jashtëzakonshme ndaj Martinelli në pjesën e parë dhe Trossard në pjesën e dytë.
Përtej detit, portieri i kombëtares axurre shndërrohet dhe tregon më të mirën nga vetja. Këtë e dinë mirë tifozët anglezë, të cilët dolën të turpëruar nga ‘Wembley’ pas finales së ‘Euro 2020’, si ata të Liverpool-it dhe Aston Villa, ambiciet europiane të të cilëve u shkatërruan nga mrekullitë e Gigio. Në “Anfield”, Donnarumma bëri dy pritje vendimtare ndaj Luis Diaz dhe Szoboszlai gjatë kohës së rregullt, para se të hipnotizonte në lotarinë e penalltive Darwin Nunez dhe Jones.
Pas ndeshjes, ai mori “MVP” e merituar nga UEFA, por gjithashtu dha një përgjigje të mprehtë ndaj sulmeve për golin e pësuar në ndeshjen e parë nga Elliott. “Po shoh shumë kritika nga disa, nëse mund t’i quaj gazetarë. Flasin pa ditur se çfarë është profesioni i portierit, – ishte shprehur ai. – Në ndeshjen e parë kemi marrë një goditje në portë dhe një gol, prandaj mendojnë menjëherë se është faji im. Megjithatë, unë buzëqesh, punoj dhe përpiqem ta ndihmoj ekipin”.
Akoma më i jashtëzakonshëm në ndeshjen e kthimit çerekfinaleve në Birmingham, me tri mrekulli të vërteta ndaj Rashford, Tielemans dhe Asensio, të cilat konfirmuan se ai është portieri më i mirë në botë. Por ky sezon nuk ka qenë gjithmonë i mbushur me lule…
Pikërisht në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve, kundër Arsenalit, Donnarumma ka prekur momentin më të ulët, me dy gabime të rënda në golat e Havertz dhe Saka. Pastaj, në fund të nëntorit, kundër Bayern Munich, ai ka provuar stolin për herë të parë në Champions, për zgjedhje teknike.
Luis Enrique e preferoi Matvey Safonov për shkak se ishte më i aftë me këmbë, por portieri rus nuk ia shpërbleu besimin. Nag ai moment ka ndryshuar në mënyrë pozitive kursi europian i PSG-së. Donnarumma është rikthyer mes shtyllave, ka lënë pas kritikat dhe ka qenë lojtari më i rëndësishëm në rrugëtimin e parizienëve.
Vetëm 26 vjeç, Donnarumma është një pikë referimi në dhomën e zhveshjes së PSG, siç tregoi edhe gjesti i Vitinha. Portugezi, i shpallur “MVP” nga UEFA kundër Arsenalit, pas ndeshjes publikoi një foto në llogaritë e tij sociale, ku pozonte me ish-portierin e Milanit, duke mbajtur trofeun e vogël dhe shkruar diçiturën simbolike: “MVP i vërtetë…” Edhe tifozët në rrjetet sociale po e lavdërojnë, dëshmi e qartë se si në botën e futbollit je vetëm një hap larg yllit e dështakut, edhe anasjelltas.
Ka ende paqartësi mbi rinovimin e kontratës së portierit axurr, që i skadon në qershor 2026. Palët kanë filluar bisedimet, por negociatat janë në një fazë ngecjeje. Kush e di, ndoshta pas këtyre mrekullive të tjera, PSG-ja mund t’i shpejtojë bisedimet. Largimi i një Donnarumma të tillë do të ishte “autogoli” më i madh për parizienët…
The post Donnarumma në top-formë, PSG dhe Franca “nën këmbët” e tij: Është për “Topin e Artë”… appeared first on Telesport.
