Ministrja e Jashtme e Groenlandës, Viviane Motzfeldt, ka dhënë dorëheqje nga detyra, pasi partia e saj socialdemokrate Siumut njoftoi largimin nga koalicioni qeveritar.
Në një intervistë për AFP, Motzfeldt deklaroi se dorëheqja e saj lidhet drejtpërdrejt me vendimin e partisë.
“Meqenëse partia ime është larguar nga koalicioni qeveritar, edhe unë duhet të largohem nga detyra”, tha ajo, duke shtuar se në rrethanat aktuale nuk pajtohet me qëndrimin e partisë së saj.
Motzfeldt, e cila mbante edhe postin e ministres së Arsimit, ishte në qendër të bisedimeve me Uashingtonin bashkë me homologun danez, pas deklaratave të presidentit amerikan Donald Trump për mundësinë e aneksimit të Groenlandës. Në janar ajo u prit në Shtëpinë e Bardhë nga zëvendëspresidenti J.D. Vance dhe sekretari amerikan i shtetit Marco Rubio.
Ajo shprehu shpresën që kriza politike në Groenlandë të mos përdoret nga SHBA për të rritur më tej tensionet.
Detyrat e saj do të merren përkohësisht nga kryeministri i Groenlandës, Fonseca Frederik Nielsen.
Pas zgjedhjeve të 11 marsit 2025, Nielsen kishte formuar një qeveri koalicioni me pothuajse të gjitha partitë në parlamentin e Groenlandës, Inatsisartut, përveç partisë Naleraq, e cila mbështet pavarësinë e shpejtë nga Danimarka.
Partia Siumut, që ka katër vende në parlamentin me 31 deputetë, prej disa ditësh kishte paralajmëruar largimin nga qeveria, duke akuzuar kabinetin se nuk kërkoi nga ministrat që garojnë në zgjedhjet parlamentare daneze të japin dorëheqje gjatë periudhës së fushatës.
Groenlanda përfaqësohet me dy deputetë në parlamentin danez, ndërsa zgjedhjet parlamentare në Danimarkë pritet të mbahen më 24 mars.
