Kryeministri britanik, Keir Starmer, ka reaguar sërish lidhur me zhvillimet e fundit që lidhen me dosjen Epstein, duke theksuar se nuk ka ndërmend të braktisë mandatin që i është dhënë nga qytetarët.

Në paraqitjen e tij të parë para kamerave, pas një jave të cilën e cilësoi si të ngjeshur dhe të vështirë, Starmer u shpreh se mbetet i përkushtuar ndaj angazhimit për të sjellë ndryshime dhe për të mbështetur qytetarët britanikë.

Deklaratat vijnë në një kohë kur qeveria britanike po përballet me tronditje politike, pas raportimeve mbi marrëdhënien Mandelson–Epstein, që kanë nxitur reagime dhe kritika në opinionin publik.

I pyetur nga gazetarët nëse do të vazhdojë të drejtojë Partinë Laburiste edhe në zgjedhjet e ardhshme, Starmer u përgjigj se synon ta çojë deri në fund mandatin e tij.

“Po, do ta bëj. Kam pasur pesë vjet për të sjellë ndryshime dhe kam ndërmend të vazhdoj me atë për të cilën u zgjodha. Nuk do ta braktis mandatin që më është dhënë”, deklaroi kryeministri britanik.