
Partitë shqiptare që përbëjnë koalicionin qeveritar VLEN në Maqedoninë e Veriut kanë vendosur të shkrihen në një subjekt të vetëm.
Drejtuesit e partive që përbëjnë VLEN-in fillimisht kanë vizituar Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, e më pas pritet ta finalizojnë themelimin e subjektit politik në Prishtinë, në prani të kryetarit të Vetëvendosjes, njëherit kryeministër i Kosovës, Albin Kurti.
Sipas informacioneve jozyrtare, modeli më i përfolur për organizimin e partisë së re pritet të jetë ai i bashkëudhëheqjes, ku në krye të subjektit do të jenë dy kryetarët e partive kryesore të koalicionit – Bilall Kasami nga Lëvizja Besa dhe Izet Mexhiti nga Lëvizja Demokratike. Kryetarët e partive të tjera që janë pjesë e koalicionit pritet të marrin pozitat e nënkryetarëve.
Përfaqësuesi i Lëvizjes Vetëvendosje pritet të mbajë postin e Sekretarit të Përgjithshëm të partisë së re./FaktiDitor.
