Shtetet e Bashkuara kanë përdorur për herë të parë në kushte lufte dronin kamikaz LUCAS (Low-Cost Unmanned Combat Aerial System – Sistemi Sulmues Pa Pilot me Kosto të Ulët) gjatë sulmeve ajrore të së shtunës ndaj Iranit.
Zyrtarët e Komandës Qendrore të SHBA-së (CENTCOM) konfirmuan se droni u lançua si pjesë e Operacionit Epic Fury, i cili shënjestroi objektet e komandës dhe kontrollit të Gardës Revolucionare Islamike, aftësitë e mbrojtjes ajrore iraniane, vendet e lëshimit të raketave dhe dronëve si dhe aeroportet ushtarake.
Admirali Brad Cooper, komandant i CENTCOM-it, deklaroi se “Presidenti urdhëroi veprime të guximshme dhe ushtarët tanë të guximshëm po i përgjigjen thirrjes.”
Karakteristikat e dronit LUCAS
Droni është i projektuar sipas modelit iranian Shahed-136, por i modifikuar nga kompania SpektreWorks në Arizona.
Ai ka një gjatësi prej 3 metrash, hapje krahësh 2.4 metra, peshë 82 kilogramë dhe një rreze veprimi prej 800 kilometrash.
Funksionon me motor me djegie të brendshme dhe përdor terminalet Starlink për komunikim.
LUCAS mund të lëshohet nga katapulta, raketa shtytëse ose sisteme tokësore të lëvizshme, dhe mund të përdoret në tufë (swarm), ku disa dronë sulmojnë njëkohësisht në mënyrë të koordinuar.
Origjina dhe zhvillimi
Fillimisht, modeli FLM 136 u krijua si një shënjestër stërvitjeje për të simuluar dronët iranianë Shahed, por më pas u shndërrua në mjet sulmi.
Çmimi i një njësie është rreth 35 mijë dollarë, shumë më i ulët krahasuar me sistemet e sofistikuara amerikane si MQ-9 Reaper.
Në dhjetor 2025, një dron LUCAS u lëshua me sukses nga anija luftarake USS Santa Barbara në Gjirin Arabik, duke shënuar testin e parë praktik në det.
Këto dronë përbëjnë bazën e skuadriljes së re Task Force Scorpion Strike, e cila është e para e këtij lloji me dronë kamikaz njëkahësh.
Krijimi i saj pasoi direktivën të Sekretarit të Mbrojtjes, Pete Hegseth, për përshpejtimin e prodhimit dhe vendosjes së sistemeve autonome të përballueshme në të gjitha shërbimet ushtarake.
Gazeta Military Times raporton se në vitin 2025, SHBA rriti ndjeshëm investimet në prodhimin e dronëve për të ruajtur epërsinë ndaj Rusisë dhe Kinës.
Pentagon prezantoi mbi një duzinë sistemesh pa pilot të gjeneratës së re – ajrorë, tokësorë dhe nënujorë – ndërsa në nëntor filloi prodhimin e përbashkët të dronëve interceptues me Ukrainën.
Ky përdorim i parë i dronëve LUCAS në një operacion real tregon se SHBA po e zgjeron strategjinë e saj ushtarake duke kombinuar teknologji të avancuara me mjete më të lira dhe të disponueshme, duke rritur fleksibilitetin dhe efektivitetin në fushën moderne të betejës.
CENTCOM’s Task Force Scorpion Strike – for the first time in history – is using one-way attack drones in combat during Operation Epic Fury. These low-cost drones, modeled after Iran’s Shahed drones, are now delivering American-made retribution.
pic.twitter.com/VYdjiECKDT
— U.S. Central Command (@CENTCOM) February 28, 2026
