Vetëm pesë muaj më parë, boksierët Daniel Dubois dhe Fabio Wardley zhvilluan një betejë të ashpër në Londër, një duel i fortë për titullin kampion bote në peshën e rëndë, i cili përfundoi me një nokaut në raundet e fundit në favor të Dubois.
Kjo fitore i dha atij brezin e WBO, por tani, dy boksierët janë gati për një përballje të dytë. Revanshi do të zhvillohet këtë të shtunë (17 tetor), në atë që premton të jetë një tjetër spektakël emocionues në “O2 Arena” në Londër.
Para kësaj, Dubois dhe Wardley morën pjesë në konferencën e fundit për shtyp sot në Manchester, ku shkëmbyen fjalë provokuese dhe realizuan përballjen tradicionale “sy më sy”, që nuk pati asnjë tension mes palëve.
Në ndeshjen e parë, Wardley (20 fitore, 1 humbje, 1 barazim) e rrëzoi Dubois (23 fitore, 3 humbje) dy herë, por nuk arriti ta shfrytëzonte asnjërën prej këtyre situatave për të siguruar fitoren. Këtë herë, ai është i vendosur të mos i përsërisë të njëjtat gabime.
“Mendoj se ka një gjë për të cilën të gjithë ne në këtë tryezë jemi dakord: së pari, ndeshja nuk do të shkojë deri në fund të raundeve, dhe së dyti, ka shumë gjasa të përfundojë mjaft shpejt,” tha Wardley.
“Do të bëj rregullimet e duhura, do të shfaq një performancë më të saktë e më efikase dhe do t’i shfrytëzoj momentet që pata në fillim të ndeshjes së parë. Në rastin e parë, kur e rrëzova në 10 sekondat e para, u tregova disi i përmbajtur”, shtoi britaniku.
“Në rastin e dytë, në raundin e tretë, e lashë të shpëtonte shumë lehtë. Por këtë herë nuk ka shpëtim. Sapo të ndjej erën e gjakut, ai është i mbaruar. Ai do të largohet nga ringu“, tha Wardley.
Ndërsa Dubois replikoi: “Do të biesh në tapet njësoj si herën e parë, kjo është e sigurtë. Do të tregoj vendin, pasi ky titull është aty ku I takon të jetë. Më pas do të mendoj për Fury ose Joshua”
The post Dubois gati të mbrojë titullin ndaj Wardley në revanshin e madh mes dy boksierëve britanikë, ja deklaratat appeared first on Telesport.
