
Në tabelën e pishinës për fëmijë në afërsi të shkollës fillore Ismail Qemali në Cair, qëndron mbishkrimi se punimet do të përfundojnë në gusht të vitit 2025. Por edhe pse jemi në fund të dhjetorit, dhe me mbi katër muaj vonesë në vënien në funksion, ekskavatorët edhe sot ishin aty për të vazhduar punimet.
Një nga premtimet parazgjedhore të ish zëvendës kryeministrit të parë, e tani kryetar i komunës së Çairit, Izet Mexhiti, ishte edhe ndërtimi i kësaj pishine por edhe ndërtimi i dy të tjerave në lagje kryesore të Çairit, njëra në Serovë dhe një tjetër në Gazi Babë.
“Ndërtimi i sallës multifunksionale sportive Çair me kapacitet prej 3 mijë ulëse, rikonstruim i sallës Partizani dhe ndërtimi i tre fushave multifunksionale në Sahat Kullë, Topanë e vjetër dhe Gazi Babë. Këtu hyjnë edhe dy pishina që janë njëra në Fusha Topanë në përfundim e sipër dhe tjetra në Serovë që duhet të fillon, por nëse ka nevojë edhe një në Gazi Babë”, tha Izet Mexhiti – Kryetar i Komunës së Çairit.
Nga tre pishinat e premtuara për Çairin, punimet filluan vetëm tek një, e cila ende nuk është në shërbim të nxënësve siç ishte paralajmëruar. Banorët e Çairit thonë se projektet fillojnë, por më pas vështirë përfundojnë.
“U gëzova kur e filluan por a e ndaluan a jo nuk e di e ndoshta edhe vetë i ndërprenë punimet, tani shpejtë i pash duke punuar mjeshtërit. (1:57 – 2:10)”Ka shumë nevoja Çairi por një gjë që nuk me pëlqen është që shumë ndërtuan pa orientim dhe nuk ka qarkullim ajri në lagje e kjo nuk është aspak e mirë”, tha një qytetare.
“Sa i përket pishinave mendoj se ai i vjetri duhet të nacionalizohet pas privatizimit dhe të kthehet prapë dhe të rinovohet ajo pishinë ndërsa ky këtu duhet të ndërtohet pasi fëmijët edhe ashtu duhet të mësojnë diku të notojnë, më herët mësohej noti në vardar por tani është siç duhet dhe e dini ndotjen që është atje”, u shpreh një qytetar.
Sa i përket ndërtimit të tre pishinave të premtuara nga komuna e Çairit thonë;
“Projektet për ndërtimin e tre pishinave ndodhen në faza të ndryshme realizimi: 1. Pishina e mbyllur shkollore në SHFK “7 Marsi” punimet ndërtimore kanë përfunduar. 2. Pishina e mbyllur sportive shkollore në SHFK “Ismail Qemali” objekti është gati dhe hapja publike është paraparë më 26.12.2025. Pas kësaj, pritet që deri në fund të muajit janar të lidhet kontrata për vënien në funksion, në varësi të ofertave të pranuara. 3. Pishina e tretë projekti ndodhet në fazën e rregullimit të çështjeve pronësore-juridike.”
Deri në ndërtimin dhe hapjen e pishinave, duke u bazuar në faktet në terren dhe zvarritjen e punimeve, fëmijët e Çairit, për të mësuar notin, do të duhet akoma të presin. /Alsat.mk
