Atleti Armand Duplantis vendosi rekordin e tij të 15-të botëror radhazi, duke fituar edicionin e pestë të Mondo Classic, një takim i “World Indoor Tour” (sallat e mbyllura), i mbajtur në Uppsala të Suedisë.

Në këtë garë, kampioni suedez vendosi rekordin e ri, duke kërcyer 6.31 metra. Për fenomenin 26-vjeçar suedez, një alien i vërtetë në skenën botërore të atletikës, gara shkoi në drejtimin e duhur.

Ai u paraqit vetëm në katër kërcime, duke i realizuar me sukses të katërta: 5.65, 5.90, 6.08 dhe rekordin 6.31 metra, që në përpjekjen e parë. Shumë larg rivalët e tij, pasi i dyti u rendit norvegjezi Sondre Guttormsen me 6 metra.

Rekordi i mëparshëm ishte 6.30 metra, vendosur në shtator të vitit të kaluar në Japoni. Të gjitha rekordet e Duplantis janë përmirësuar me nga 1cm, duke nisur nga viti 2020.

The post Duplantis “fluturon” sërish, atleti suedez vendos rekord të ri botëror në kërcim me shkop appeared first on Telesport.