Kufizimi i marzhës së mbi 1 mijë artikujve ushqimor, ulën normën e inflacionit 1.3% dhe uljen e çmimeve ushqimore bazë me 3% më pak, theksoi ministri i ekonomisë Besar Durmishi në konferencën e organizuar si formë llogaridhënieje për vitin e parë në krye të këtij dikasteri. Më tej shtoi se pavarësisht numrit të pamjaftueshëm të inspektorëve, janë forcuar shërbimet në Inspektoratin e Punës me rritje të numrit të kontrolleve me 20%, ndërsa Inspektoratin e Tregut shënon rritje prej 15%.
“Inspektorati i Tregut vetëm mund të bëj analizë dhe të informoj qeverinë, respektivisht ministrinë nëse ka rritje enorme të çmimeve, nëse ka sjellje devijante të tregtarëve, prodhuesve, distributorëve dhe ne pastaj reagojmë me masat që i kemi. Numrin e saktë nuk e kam pasi që në çdo masë ka pasur edhe gjoba të shqiptuara nga Inspektorati i Tregut, në vlera deri në 10-12 milion denarë në secilën masë, por tash atë informacion nuk e kam këtu dhe ka pasur raste kur edhe i kemi mbyllur marketet”, tha Besar Durmishi – ministër i Ekonomisë dhe Punës.
40 milionë euro u shpenzuan për uljen e papunësisë përmes vetëpunësimit, trajnimeve praktike dhe masave tjera për 16 mijë qytetarë, tregoi Durimishi. Si arritje nga ky dikaster e vlerësojnë edhe rritjen e pagës minimale prej 8%. Në fazën përfundimtare është formimi i shportës së re konsumatore për familjet katëranëtarëshe.
“Ajo nuk është reale, prandaj po bëjmë një shportë konsumatore që do të jetë adekuate me të dhëna të vërteta, e cila do të njoftoj qytetarët sa kushton saktë shporta e konsumit minimal. Për këtë do dihet që një familje katëanëtarëshe sa shpenzon për një muaj në ushqim-pije, veshmbathjeve e kështu me radhë. Në seancën e parë të Këshillit socio-ekonomik, që është nga fundi si procedurë”, deklaroi ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi.
Ndryshimet në Ligjin për mbrojtjen e konsumatorëve, sipas Durmishit, vendosën detyrim për marketet për të publikuar çmimet në faqet e tyre të internetit. Synojnë të zhvillojnë një aplikacion që do të krahasojë çmimet përmes një algoritmi dhe do t’u tregojë qytetarëve se cili produkt është më i lirë në afërsi të tyre. Ministri tha se po punojnë që në raftet e çdo marketi të figurojë origjina e artikujve se cilat produkte janë vendore dhe cilat janë nga shtetet e huaja përkatëse.
