Mesfushori i Shqipërisë, Julian Shehu, beson se vështirësitë e kuqezinjve në dy ndeshjet e para nën drejtimin e Rolando Maran lidhen me procesin e përshtatjes ndaj ideve dhe skemave të reja të trajnerit italian. Futbollisti theksoi se ekipi ka nevojë për kohë për të përvetësuar filozofinë e re të lojës, ndërsa shprehu bindjen se kombëtarja do të jetë më e gatshme për sfidat e shtatorit:
“Kur vjen një trajner i ri, natyrisht ka idetë dhe vizionin e vet të lojës. Në bazë të këtyre ideve dhe këtij vizioni ai vendos dhe zgjedh lojtarët për formacionin, si edhe mënyrën se si duhet të luajmë. Besoj se kanë kaluar shumë pak ditë që ne të arrijmë të përshtatemi me idetë e tij dhe kjo kërkon pak kohë. Mendoj se bëhet fjalë për dy module krejtësisht të ndryshme nga ajo që kemi luajtur më parë, ndaj duhet më shumë kohë për t’u përshtatur me vizionin dhe idetë që ka trajneri.
Për mua personalisht rëndësi ka të fitojë kombëtarja. Nuk ka rëndësi nëse e nis ndeshjen nga minuta e parë apo futem në minutën e 70-të apo të 80-të. E rëndësishme është të kemi rezultate të mira. Sa herë që jam në fushë, do të jap kontributin dhe maksimumin tim për kombëtaren.
Besoj se do të jemi gati për në shtator, sepse koha nuk është shumë e gjatë, por mendoj se edhe nga këto ndeshje kemi marrë mësime të vlefshme për atë që duhet të përmirësojmë. Kemi analizuar fazat e lojës dhe gabimet që kemi bërë, shpresoj t’i korrigjojmë, që të jemi gati kur të vijë momenti.
Çfarë tha trajneri pas ndeshjes? Thjesht na tha 2-3 detaje dhe disa gjëra të vogla që kam dëshirë t’i lë brenda dhomave të zhveshjes. Nuk dua t’i bëj publike dhe kaq”.
The post Dy humbje, Shehu mbron trajnerin Maran: Duhet kohë për t’u përshtatur me idetë e reja appeared first on Telesport.
