Gara zgjedhore në Çair po merr një dimension të ri, pasi kandidatët për kryetar komune shpallën bashkëpunime me emra të njohur ndërkombëtarë nga fusha e urbanizmit dhe arkitekturës, me synim që komuna të fitojë një identitet modern dhe funksional.
Kandidati i VLEN, Izet Mexhiti ka zgjedhur që planin për Çairin ta realizojë me arkitektin Bajram Vardar, një shkupjan që ka lënë gjurmë të forta në metropolet turke, Stamboll dhe Bursa. Vardar ka qenë pjesë e ekipit të presidentit të tanishëm turk Rexhep Taip Erdoganit, gjatë kohës kur ai drejtonte Stambollin, ndërsa më vonë ka ushtruar detyrën e urbanistit kryesor të Bursës. Mexhiti ka paralajmëruar hartimin e një masterplani për Çairin, i cili do të përgatitet në konsultim me banorët dhe do të ketë një strategji të qartë për zbatim.
“Çairi përballet me sfida të ngjashme me ato që i kemi parë në Stamboll apo Bursa. Qëllimi ynë është të hartojmë një plan për të ardhmen e komunës, që do të shërbejë si bazë për transformimin e saj modern”, deklaroi Mexhiti.
Nga ana tjetër, kandidati i Aleancës Kombëtare për Integrim, Bujar Osmani ka paralajmëruar bashkëpunim me arkitektin meksikan Michel Rojkind, siç thonë nga AKI, i njohur për mënyrën se si e ndërthur arkitekturën me dimensionin social dhe kulturor, ndërsa shtojnë se Rojkind është fitues i disa çmimeve ndërkombëtare prestigjioze, përfshirë edhe “Emerging Voices” të Ligës së Arkitekturës në Nju Jork.
“Gjatë javëve të fundit, së bashku me të, po punojmë për një vizion të rilindjes urbane të Çairit. Çairi më në fund do të ketë një plan afatgjatë për zhvillim dhe urbanizim. Në vizionin e ri, Çairi do të zhvillohet si një komunë moderne”, ka shkruar mes tjerash Osmani.
Çairi është një nga komunat më të dendura në Europë, ku jetojnë 62.586 banorë në një sipërfaqe prej 3.52 km² , pra në këtë komunë jetojnë afërsisht 17.8 mijë banorë për çdo km².
