Dy persona janë privuar nga liria në Shkup, në dy raste të ndara, pasi policia ka gjetur dhe sekuestruar armë zjarri dhe municion. Rastet janë regjistruar më 5 nëntor, ndërsa pas dokumentimit të plotë të tyre, ndaj personave do të pasojnë kallëzime përkatëse, njofton Ministria e Punëve të Brendshme, përcjell TV21. Në rastin e parë, rreth orës 16:30, në një objekt hotelierik në rrugën “Finjska”, policia ka arrestuar një 37-vjeçar me inicialet E.O. nga Shkupi. Gjatë kontrollit tek ai është gjetur dhe konfiskuar një pistoletë.

“Personi është privuar nga liria për shkak të dyshimeve për kryerjen e veprës penale sipas nenit 396 të Kodit Penal”, thuhet në njoftimin e MPB-së.

Në rastin e dytë, në zonën e Qendrës, është arrestuar një 64-vjeçar me inicialet Z.I., pasi paraprakisht ishte raportuar se kishte kërcënuar një person me armë zjarri.

Gjatë kontrollit në terren, policia ka gjetur dhe sekuestruar një pistoletë dhe një karikator me fishekë. Ndërsa gjatë kontrollit të automjetit të tij të markës “Ford”, janë gjetur edhe një karikator shtesë për pistoletë dhe fishekë.

MPB-ja njofton se pas dokumentimit të plotë të të dy rasteve do të pasojnë kallëzime përkatëse.