Të paktën 4 persona u vranë  dhe 14 të tjerë u plagosën pas dy shpërthimeve të fuqishmë në portin jugor iranian të Bandar Abbas të shtunën, tha një zyrtar lokal për agjencitë iraniane të lajmeve, por shkaku i shpërthimit nuk dihet.

Sipas informacioneve të para, shpërthimi në Bandar Abbas shkaktoi dëme të mëdha në dy katet e një ndërtese tetëkatëshe, si edhe në automjete të parkuara dhe dyqane përreth.

Në vendngjarje mbërritën forcat zjarrfikëse dhe ekipet e shpëtimit, ndërsa zona u rrethua për arsye sigurie dhe për hetimin e shkaqeve.

Agjencia iraniane e lajmeve Tasnim raportoi se “informacionet që qarkullojnë në rrjetet sociale për një sulm ndaj komandantit të Marinës së Gardës Revolucionare janë plotësisht të pavërteta”, duke hedhur poshtë skenarët për një atentat ndaj një zyrtari të lartë ushtarak.

Disa orë më vonë, sipas Iran International, duke cituar agjencinë ISNA, një shpërthim i dytë ndodhi në jug të Iranit, këtë herë në qytetin Ahvaz, në një ndërtesë banimi katërkatëshe. Si pasojë, humbën jetën katër anëtarë të së njëjtës familje.

Kreu i Shërbimit Zjarrfikës dhe Sigurisë në Ahvaz, Babak Rabei, deklaroi për ISNA se shpërthimi ndodhi në lagjen Kianshahr dhe viktimat ishin një çift dhe dy fëmijët e tyre.

Nga rrënojat u nxorën të gjallë dy persona, një fëmijë trevjeçar dhe një grua, të cilët u dërguan me urgjencë në spital.

Autoritetet iraniane vijojnë hetimet për shkaqet e dy shpërthimeve, ndërsa deri tani nuk është konfirmuar nëse ekziston ndonjë lidhje mes dy ngjarjeve.