Nga Ministria e Punëve të Brendshme njoftojnë se gjatë ditës së djeshme në pikën kufitare Tabanoc janë arrestuar 2 persona, përcjell TV21. Njëri shtetas polak, i cili është kapur me lëndë narkotike, ndërsa në një rast tjetër është arrestuar një shtetas serb i cili tentoi të kalonte pikën kufitare me motoçikletë me targa zvicerane, dhe patentë të falsifikuar të Zvicrës.

“Dje (30.07), rreth orës 09:30, nga ana e zyrtarëve policorë në Pikën Kufitare “Tabanoc” gjatë hyrjes në Republikën e Maqedonisë së Veriut është privuar nga liria H.O. (22), shtetas polak, i cili me një veturë “Renault Megane” me targa polake kishte tentuar të hyjë në vend. Personi është ndaluar pasi gjatë kontrollit shtesë në automjet është gjetur një kavanoz plastik me substancë narkotike – marihuanë, si dhe një mjet për bluarje”, thonë nga MPB.

“Po në të njëjtën pikë kufitare, dje rreth orës 17:25, është privuar nga liria edhe V.A. (39), shtetas serb, gjatë përpjekjes për të hyrë në vend me një motorçikletë të markës “Aprilia RSV4” me targa zvicerane. Gjatë kontrollit kufitar, ai kishte paraqitur një patentë shoferi zvicerane në emrin e tij, për të cilën, pas kontrollit shtesë me ndihmën e përfaqësuesve të “Frontex”, është konstatuar se bëhet fjalë për dokument të falsifikuar”, shtojnë nga MPB.