Aeroporti i Nurembergut në Gjermani pezulloi të martën përkohësisht fluturimet, pas raportimit të një emergjence në hapësirën ajrore.
Në një njoftim në faqen e tij zyrtare, aeroporti nuk dha detaje për shkakun e incidentit, por bëri të ditur se informacione të tjera do të publikohen më vonë, raporton Reuters.
Policia gjermane njoftoi se kishte marrë një raport për një situatë të paqartë emergjente në ajër, duke konfirmuar se avioni ishte ulur i sigurt në Nuremberg.
“Morëm një raport për një emergjencë të paqartë në ajër. Ndërkohë, avioni është ulur i sigurt në Nuremberg. Aktualisht po zhvillohen hetime për të përcaktuar shkakun”, njoftoi policia në rrjetin social X.
Sipas gazetës gjermane Bild, trafiku ajror në aeroport ishte ndërprerë edhe gjatë natës, pasi tre pilotë kishin raportuar veçmas se kishin parë një objekt të dyshimtë gjatë ngritjes ose uljes së avionëve. Dyshimet lidhen me mundësinë e pranisë së një droni në zonë.
