Gazetare: Ajnur Bafqari

Dyshime për keqpërdorim të resurseve shtetërore për fushatë politike. Së fundmi portali Plus info, publikoi informacione se një e-mail zyrtar i ministrisë së jashtme dhe telefoni i një të punësuarit në MPJ, është përdorur për të sponsorizuar postimet e kandidatit për Çairin, Bujar Osmanit, në profilin e tij në fejsbuk.

Edhe pse deklarohen për transparencë kandidatët që garojnë në zgjedhjet e tetorit, nuk tregojnë për sasinë e mjeteve që po i shfrytëzojnë për aktivitetet zgjedhore, edhe pa filluar ende zyrtarisht fushata. I tillë ishte rasti i fundit me kandidatët që garojnë për postin e numrit një të Çairit, të cilët angazhuan arkitektë ndërkombëtarë për fushatë. Bujar Osmani tha se arkitekti meksikan, po e bën këtë masterplan pa pagesë, vetëm sepse janë miq, ndërsa Izet Mexhiti, tha se arkitekti nga Turqia, e bën këtë pa pagesë, sepse ka prejardhje nga Maqedonia e Veriut dhe vetëm dëshiron të ndihmojë zhvillimin e vendlindjes së tij.

Ndërkohë njohësit e rrethanave politike dhe ekspertët për antikorrupsion vlerësojnë se po vazhdon avazi i vjetër me keqpërdorimet e të mirave publike për aktivitete partiake.
Nga komisioni për parandalimin e korrupsionit, ditë më parë, publikuan informacione, se në Regjistrin e makinave të institucioneve shtetërore, ato të vetëqeverisjes lokale, ndërmarrjet publike apo subjektet e tjera juridike që posedojnë kapital, kanë paraqitur të dhëna vetëm për 1 916 makina nga 6 500 sa i posedojnë gjithsej. Nga Qeveria bëjnë thirrje që të gjitha institucionet të dorëzojnë numrin e saktë të makinave.

The post Dyshime për keqpërdorim të resurseve shtetërore për fushatë politike appeared first on Alsat.