Një drejtor i një institucioni shëndetësor është arrestuar nën dyshim për marrje të ryshfetit. TV21 ka mësuar se personi në fjalë është drejtori i Spitalit të Specializuar për mjekësi Geriatrike dhe Paliative në Shkup, Muhsin Arifi.

Ai dyshohet se së bashku me një ndërmjetësues kanë kërkuar dhe kanë marrë ryshfet në shumën prej 20 mijë eurosh, për vendosjen e një personi të sëmurë dhe të palëvizshëm në një objekt geriatrik.

Prokuroria e konfirmoi këtë informacion, pa bërë të ditur identitetin.

“Në një veprim të koordinuar të Prokurorisë Themelore Publike për Krim të Organizuar dhe Korrupsion dhe MPB janë ndaluar dy persona të dyshuar për veprat penale të marrjes së ryshfetit dhe marrjes së shpërblimit për ndikim të kundërligjshëm. Po ndërmerren veprime për zbardhjen e plotë të ngjarjes”, thonë nga Prokuroria për TV21.

Rastin e ka konfirmuar edhe Ministria e Brendshme.