Peshëngritësi Briken Calja është dëmtuar dhe është ka vendosur të tërhiqet nga Kampionati Botëror i shtangës, turne që po zhvillohet në Kinë. Kampioni shqiptar i pedanës ka pësuar një dëmtim që e ka detyruar të ngrejë “flamurin e bardhë” në këtë turne.

“Një moment shumë i vështirë, por një vendim i domosdoshëm. Me keqardhje njoftoj tërheqjen time nga Kampionati Botëror për shkak të një dëmtimi në kofshë dhe në pjesën e mesit, që e bën të pamundur vazhdimin e garës”, thotë Calja, që duhej të garonte më 31 tetor.

Më tej, shtangisti kuqezi, shton: “Pavarësisht formës së jashtëzakonshme sportive që kisha dhe vazhdoj të kem, sot më duhet të bëj një hap pas. Një vendim aspak i lehtë, sidomos kur e di sa shumë kam punuar, sa sakrifica kam bërë dhe sa i përgatitur isha për këtë kampionat”.

“Karriera e një sportisti nuk ndërtohet mbi një garë të vetme. Kampionati i radhës po afron dhe nuk mund të rrezikoj që një dëmtim të më mbajë larg pedanës për një periudhë të gjatë”, shtoi Calja, që garon në peshën 75kg.

“Ky nuk është dorëzim, por një vendim i menduar për të mbrojtur gjithçka që kam ndërtuar dhe për të vazhduar rrugëtimin dhe objektivat e mia. Beteja ime nuk përfundon këtu. Do të rikthehem sërish më i fortë dhe më i vendosur se kurrë”, deklaroi Briken Calja.

The post E fundit! Briken Calja dëmtohet para botërorit dhe tërhiqet nga gara: Nuk ishte një vendim i lehtë appeared first on Telesport.