Më shumë se një vit pas një ngjarjeje tragjike që tronditi opinionin publik, partneri i një 33-vjeçareje që humbi jetën nga ngrirja në malin më të lartë të Austrisë, del këtë të enjte para gjykatës, i akuzuar për vrasje të rëndë nga pakujdesia.

Sipas aktakuzës, Kerstin G ndërroi jetë nga hipotermia gjatë një ngjitjeje në Grossglockner, në orët e para të 19 janarit 2025. Ekspedita në Alpet Austriake përfundoi në tragjedi, pasi 33-vjeçarja dyshohet se u la e pambrojtur dhe e rraskapitur pranë majës, në kushte të rënda stuhie dhe temperatura ekstreme.

Prokurorët pretendojnë se partneri i saj, i identifikuar nga mediat austriake si Thomas P, ishte alpinisti më me përvojë dhe “udhëzuesi përgjegjës për turin”. Sipas tyre, ai nuk mori vendimin për t’u kthyer në kohë dhe nuk kërkoi ndihmë menjëherë, duke e lënë 33-vjeçaren në kushte fatale, ndërsa vetë zbriti për të kërkuar ndihmë.

Nga ana tjetër, i pandehuri i mohon akuzat. Avokati i tij, Kurt Jelinek, e ka cilësuar rastin si “një aksident tragjik”, duke theksuar se kushtet e motit në Alpet Austriake ishin jashtëzakonisht të vështira dhe të paparashikueshme.

Rasti ka nxitur debat të gjerë në Austri dhe më gjerë, sidomos në komunitetin e alpinizmit, duke ngritur pikëpyetje mbi përgjegjësinë, përgatitjen dhe vendimmarrjen në kushte ekstreme malore.