
Mëngjesin e sotëm, për të tretën ditë me rradhë, një valë e re alarmi ka përfshirë institucionet arsimore në Tetovë, pasi disa shkolla fillore dhe të mesme kanë pranuar sërish sinjalizime për vendosjen e mjeteve shpërthyese.
Menjëherë pas marrjes së këtyre njoftimeve, autoritetet kanë aktivizuar protokollet e emergjencës, duke bërë evakuimin e plotë të nxënësve dhe stafit arsimor për të garantuar sigurinë e tyre.
Procesi mësimor është ndërprerë përkohësisht, ndërkohë që njësi të specializuara të policisë dhe ekipe antieksploziv janë vendosur në terren për të kryer kontrolle të hollësishme në të gjitha objektet e sinjalizuara. Edhe pse përsëritja e kësaj situate ka krijuar shqetësim dhe pasiguri të madhe te prindërit dhe qytetarët, policia po punon intensivisht për verifikimin e vërtetësisë së këtyre kërcënimeve dhe pritet që Ministria e Punëve të Brendshme të dalë me një njoftim zyrtar sapo të përfundojnë inspektimet teknike në terren.
