Edhe 8 të dënuar për rastin “27 Prilli” pritet të lirohen nga burgu para Vitit të Ri

Shumica e të dënuarve për ngjarjet e 27 prillit të vitit 2017 kanë marrë lirimin me kusht, pasi kanë vuajtur më shumë se dy të tretat e dënimeve me burg, shkruan “Skopje 1” duke iu referuar burimeve në Gjykatën Penale.

Sipas të njëjtave burime, vendimet i ka marrë Këshilli Penal, i cili ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet ligjore për të marrë një vendim të tillë. Para Vitit të Ri, pritet lirimi i Munir Pepiq, Oliver Popovski, Vllatko Trajkovski, Dushko Lazarov, Jane Çento, Mitko Peshov, Goran Gjosevski dhe Nikolla Mitrevski.

Deri më tani, lirimin e kanë marrë Mlladen Dodevski dhe Goran Angelov-Çoseto, të cilët ishin ndër të parët që dolën nga burgu.

Sipas të njëjtave burime, Oliver Radullov ka marrë lirimin me kusht para gjashtë muajsh.

Sipas “Skopje 1”, pranë Gjykatës Penale është dorëzuar edhe kërkesa për rigjykim, për shkak të ekzistencës së dëshmive të reja që mund të ndikojnë në rezultatin e procedurës. Kjo kërkesë pritej të dorëzohej dhe është paralajmëruar nga të dënuarit gjatë viteve të fundit.

Lirimi me kusht caktohet ekskluzivisht nga Gjykata dhe sipas ligjit mund të përfshijë masa të veçanta ndihme, kujdesi, mbikëqyrjeje ose mbrojtjeje, të cilat zbatohen nga organi kompetent në përputhje me ligjin.