Aleanca për Shqiptarët, krahu i Arben Taravarit, dorëzoi ankimin në Gjykatën Kushtetuese për Ligjin përmes të cilit hyn në fuqi sistemi “Safe City”.
Paraprakisht, ankimim në Kushtetuese për të njëjtën gjë ka dorëzuar edhe Aleanca për Shqiptarët, krahu i Ziadin Selës, i cili gjatë deponimit, duke iu referuar paralajmërimit të ASH-Taravarit, tha se “çështjet serioze nuk duhet të lihen në duart e njerëzve joseriozë”. Për këtë sot u përgjigj deputeti i ASH-Taravari, Halil Snopçe.
“Nuk është me rëndësi me rëndësi kush e dorëzon ankimimin, me rëndësi është që të shfuqizohet për shkak se mendojmë se është në kundërshtim me kushtetutën. Neni 9 i Kushtetutës garanton barazi të të gjithë qytetarëve. Aplikimi në vetëm 3 qytete shpërndarje është jo e barabartë, jo uniforme. Tani për deklaratën e Ziadin Selës nuk dëshiroj të komentoj por normalisht, serioziteti shihet në Parlament, në deklaratën e foltores së Parlamentit deputeti Rijad Shaqiri paralajmëroi se ne do të çojmë ankesë. Në ditën kur u votua ligji deputeti Shaqiri paralajmëroi, Ziadin Sela nuk ishte në Parlament”, tha Halil Snopçe, deputet ASH-Taravari.
Përveç ankimimeve të dy ASH-ve, një të tillë për të njëjtën çështje ka dorëzuar edhe Ylli Paçuku, në emër të tij dhe si student i juridikut, por i njëjti është edhe anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të BDI-së i zgjedhur së fundmi.
Përndryshe sistemi “Safe City” do të nisë të zbatohet nga 1 shkurti, fillimisht vetëm në tre qytete, Shkup, Tetovë, Kumanovë dhe në Korridoret 8 dhe 10. Autoritetet kompetente kanë paralajmëruar se gjatë vitit 2026 parashihet që sistemi të fillojë të funksionojë në gjithë territorin e shtetit, por ende nuk ka datë konkrete se kur do fillojë në qytetet tjera.
