Gazetare: Fatlume Dervishi

Sistemi i ri i Hyrje-Daljeve i Bashkimit Evropian filloi të zbatohej që dje kurse udhëtarët u përballen për herë të parë me një procedurë shtesë kontrolli, e cila vështirësoi udhëtimin për disa. Pritje më të gjata se zakonisht u raportuan në kufirin Kroaci-Bosnjë.

“Nuk e di, na ngadalëson pak. As nuk ishim të vetëdijshëm se për çfarë bëhet fjalë”, tha Dobrilla Smigiç, shtetase serbe.

“Po e bëjnë më të vështirë hyrjen në zonën Shengen të BE-së për njerëzit e zakonshëm që udhëtojnë për punë ose për pushime. Sinqerisht, kjo është qesharake. Ata krijuan një bllokim trafiku, saqë duket sikur është bllokim trafiku i sezonit të verës, ishte vërtet e papritur”, tha Garo Ferhatoviç, shtetas boshnjak.

Policët kufitar të Kroacisë thanë se janë trajnuar dhe janë të përgatitur për sistemin e ri të kontrollit kurse për rastet e radhëve më të gjata, thanë se do të përdorin pajisje mobile për kontroll më të shpejtë.

“Është e pritshme koha e pritjes në kufi të jetë më e gjatë. Duke pasur parasysh që pasagjerët tani duhet të dalin nga automjeti i tyre në mënyrë që të kryejmë mbledhjen e të dhënave biometrike, që do të thotë skanim i fytyrës dhe gjurmët e gishtave. Gjatë orëve të pikut, oficerët e policisë së trafikut do të përdorin pajisje skanimi mobile të cilat mund të skanojnë pasagjerët dhe të krijojnë të gjithë dosjen e pasagjerëve ndërsa pasagjerët qëndrojnë brenda automjeteve të tyre”, tha Petar Jangic, Policia Kufitare Kroate.

Në aeroporte, procedura është pothuajse e ngjashme. Në shumë prej tyre janë vendosur pajisje të posaçme të quajtura kioska në të cilat udhëtarët duhet të fusin vetë të dhënat e tyre.

“Po flasim për automatizim total, i cili do të mbledhë të gjitha të dhënat biometrike dhe personale të pasagjerit, si dhe regjistrim biometrik të fytyrës dhe të gjurmëve të gishtave. Kioska, sigurisht, do të ofrojë një pyetësor kufitar që përbëhet nga pyetje të thjeshta për të kuptuar arsyet pse pasagjeri po hyn në zonën Shengen, sa para ka me vete, nëse ka karta krediti dhe qëllimin dhe destinacionin e udhëtimit të tij”, theksoi Antonela Marota, drejtuese e kontrollit kufitar në Aeroportin e Romës Fiumicino.

Procedura do të përsëritet edhe nga një zyrtar kontrolli i aeroportit.

Sistemi i Hyrje-Daljes do të zbatohet gradualisht kurse zbatimi i plotë duhet të bëhen deri më 10 prill të vitit të ardhshëm. Sistemi do të regjistrojë të dhëna personale si skanime të syve, imazhe të fytyrës dhe gjurmë gishtash për të gjithë pasagjerët që vinë nga vende jashtë BE-së dhe që hyjnë në 29 vendet e Shengenit, ku bëjnë pjesë vendet e BE-së, plus Zvicra, Norvegjia, Lihtenshtajni dhe Islanda. BE thotë se skema synon një kontroll më të mirë të imigracionit dhe mashtrimit me identitetin, por edhe të identifikojë personat që kanë tejkaluar afatin e qëndrimit brenda këtyre vendeve.

 

 

The post EES sistemi i ri, pritje në disa kufij të BE-së appeared first on Alsat.