Miliona dokumente të publikuara që lidhen me Jeffrey Epstein, të dënuarin për abuzim seksual, sugjerojnë ekzistencën e një “ndërmarrjeje kriminale globale”, e cila ka kryer veprime që përmbushin pragun ligjor të krimeve kundër njerëzimit, sipas një paneli ekspertësh të pavarur të emëruar nga Këshilli i të Drejtave të Njeriut i Kombeve të Bashkuara.

Ekspertët kanë theksuar se krimet që dalin nga këto dokumente janë kryer brenda një konteksti të besimeve supremaciste, racizmit, korrupsionit dhe mizoginisë ekstreme. Ata e shohin komercializimin dhe çnjerëzimin e grave dhe vajzave si një pjesë kyçe të krimeve të përshkruara.

“Shkalla, natyra, karakteri sistematik dhe shtrirja ndërkombëtare e këtyre mizorive kundër grave dhe vajzave janë kaq të rënda, sa disa nga këto krime mund të përmbushin pragun ligjor të krimeve kundër njerëzimit”, u shprehën ekspertët në një deklaratë.

Për më tepër, ata kërkojnë një hetim të thelluar dhe të paanshëm mbi këto akuzat, dhe përpjekje për të kuptuar se si ishte e mundur që krime të tilla të kryheshin për kaq gjatë pa pasur ndëshkime.

Një ligj i miratuar nga Kongresi amerikan vitin e kaluar kërkon që të gjitha dosjet që lidhen me Epstein të bëhen publike. Sidoqoftë, ekspertët e Kombeve të Bashkuara kanë ngritur shqetësime mbi “dështime serioze në përputhshmëri dhe redaktime të gabuara”, të cilat kanë ekspozuar informacione të ndjeshme për viktimat. Deri tani janë identifikuar më shumë se 1,200 viktima në dokumentet e publikuara.

Dokumentet e Departamentit të Drejtësisë kanë zbuluar lidhjet e Epsteinit me figura të njohura në politikë, financa, akademi dhe biznes. Këto lidhje janë zbuluar si gjatë periudhës që ai ishte aktiv, si dhe pas pranimit të fajësisë në vitin 2008 për akuza të lidhura me prostitucionin, përfshirë kërkimin e shërbimeve nga një e mitur.