Këngëtarja e njohur Eliza Hoxha i ka dhuruar publikut një nga momentet më emocionuese të fundjavës. Pas 20 vitesh mungesë nga skena, ajo u rikthye për të performuar krah artistit Yll Limani në koncertin e tij madhështor në Prishtinë, ku së bashku interpretuan hitin e saj të njohur, “Kthehu”.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Eliza ndau emocionet e kësaj mbrëmjeje, duke shpjeguar arsyet pse e pranoi me kënaqësi ftesën e Yllit. Ajo tregoi se e njeh artistin që nga fëmijëria dhe shprehu vlerësim të veçantë për punën, profesionalizmin dhe ekipin e tij, i cili kujdeset për çdo detaj të produksionit.
“Ishte një mbrëmje magjike për mua Nuk e di si e qysh, por ishte e pamundur me i thanë jo ftesës së Yllit”, ka shkruar këngëtarja.
Përtej emocioneve të rikthimit në skenë pas dy dekadash, Eliza u shpreh krenare për nivelin që ka arritur industria muzikore shqiptare.
Ajo vlerësoi punën e Yll Limanit dhe të gjeneratës së re të artistëve, të cilët, sipas saj, po e zhvillojnë dhe kultivojnë muzikën me standarde botërore, “ashtu si i ka hije”.
