Deri në fund të këtij viti nuk do të ndryshohen emrat e rrugëve të Tetovës, pasi që, sipas kryetarit të Komisionit për ndryshimin e emrave të rrugëve në Tetovë, Albi Qamili, janë duke pasur kujdes në procedurat administrative. Por Qamili SIGURON se në vitin 2027 në Tetovë do të ketë emra të rinj të rrugëve.

“Deri tani kemi diku te 250 emra. Edhe me mbledhjen e fundit të grupit të punës, mund të bëhen deri 280, eventualisht 290 emra, aq sa na nevojitet për këtë fazë. Dhe me atë listë prej 290 emrave, ne do ta dorëzojmë te Këshilli Komunal, por edhe një herë po e potencoj, nuk do të dorëzohet te Këshilli Komunal pa u definuar të gjitha problemet teknike, gjuhësore, administrative e kështu me radhë. Viti 2027 do të jetë viti ku në Tetovë do të kemi emra të rinj të rrugëve”, tha Qamili.

LSDM-ja nuk ka marrë pjesë në mbledhje, ndërsa Levica e ka lëshuar të njëjtën dhe nuk ka marrë pjesë. Qamili thotë se numrat i kanë, por ata ftojnë që të marrin pjesë në debat.

“Nëse diskutojmë për punën e Badenterit, e dini se me koalicionin që kemi në nivel lokal me VMRO DPMNE-në, me tre këshilltarë ne e plotësojmë Badenterin. Normalisht ne do t’i ftojmë që ta votojnë, ta përkrahin këtë proces të gjitha, faktikisht të gjitha komunitetet, të gjitha faktorët politikë, natyrisht edhe LSDM-ja edhe Levica, por nëse ata do të ngurojnë, padyshim se numrat ne i kemi edhe vetëm me VMRO DPMNE-në”, shtoi Qamili.

Nga LSDM-ja thonë se qytetit i duhen zgjidhje për problemet komunale e jo tabela të reja, ndaj kanë vendosur ta bojkotojnë procesin.

“Tetovës nuk i duhen emra të rinj rrugësh, por infrastrukturë funksionale, mjedis i pastër jetësor, ndërmarrje publike efikase dhe shërbime publike cilësore. LSDM-ja nuk do të marrë pjesë në procesin e riemërtimit të rrugëve”, thonë nga LSDM-ja.

Partia “Levica” ka lëshuar komisionin me arsyetimin se po ndryshohen emrat ekzistues dhe se historia e qytetit po përdoret për pazare partiake.

“E braktisëm Komisionin sepse nuk duam t’i japim legjitimitet fshirjes së historisë antifashiste të Tetovës. Ky komision u shndërrua në një instrument për gara nacionaliste mes BDI-së dhe VLEN-it”, thanë nga Levica.

Ndryshe, në Tetovë pritet të ndryshohen mbi 200 emra të rrugëve, ndërsa ky proces ka filluar qysh nga mandati i parë i kryetarit të komunës, Bilall Kasami.