Është kah fundi. Kështu zv/kryeministri parë Izet Mexhiti u përgjigj pyetjes deri ku është ligji për përfaqësim të drejtë edhe pse këtë përgjigje e përsërisin vazhdimisht, me muaj të tërë, liderët e VLEN-it. Pikërisht Mexhiti para 10 ditëve paralajmëroi se pas disa ditësh duhet të mbahet takim me partnerët e koalicionit qeveritar për harmonizimin e qëndrimeve. Sot e përsëriti të njëjtën gjë.

“Jemi kah fundi. Nuk do të spekulojmë, pritet takimi i fundit që të formohet propozim ligji dhe do t’ju njoftojmë”, tha Izet Mexhiti.

Kreshnik Bekteshi nga BDI në Daily Click në TV21 tha se për përfaqësimin e drejtë me muaj të tërë debatohet në opinion, ndërsa zv/kryeministri Mexhiti vazhdimisht premton se ligji pas një jave do të gjendet në procedurë kuvendore. Kaluan disa muaj, nuk ka as draft version nga ky ligj, nuk ka as paralajmërim se në cilin drejtim lëviz ky ligj me të cilin duhet të rregullohet çështja që rrjedh nga Marrëveshja e Ohrit, kritikon Bekteshi.

“Deri në këtë moment nuk kam informacione se është dërguar ndonjë propozim, madje ndonjë version përgatitor, që të mund ta shqyrtojnë deputetët por edhe ekspertët. Qytetarët e dinë se kaluan disa muaj pa asnjë ligj, përkundrazi kemi partizim të institucioneve, por fatkeqësisht joshqiptarë ua marrin pozitën e shqiptarëve që u takon me Kushtetutë”, deklaroi Kreshnik Bekteshi.

Sjellja e ligjit të ri për përfaqësim të drejtë u dakordua si zëvendësim për Balancuesin i cili u shfuqizua nga ana e Gjykatës Kushtetuese. Me këtë ligj duhet të sigurohet përfaqësim etnik gjatë punësimeve në institucionet publike, por nga shfuqizimi i Balancuesit kaluan rreth 5 muaj me çka u krijua vakum gjatë zbatimit të këtij mekanizmi.