Gazetar: Bashkim Sulejmani
Edhe pse punimet për ndërtimin e shkollës në fshatin Sellcë të Tetovës kanë filluar tanimë tre vite, megjithatë, ende nuk ka përfunduar as faza e parë e ndërtimit. Nga sektori për arsim në komunën e Tetovës, për Alsat shprehen optimist se sivjet fëmijët do mund t’i gëzohen shkollës së re.
“Ka qenë problematike përfundimi i fazës së parë dhe e dini se si procedurë është nisur më herrët, por normal që me përfundimin e fazës së parë, menjëherë janë alokuar mjetet edhe për fazën e dytë dhe besoj që problemi që ka qenë është zgjidhur dhe mjetet janë, andaj punimet do të vijojnë edhe për fazën e dytë të përfundimit të objektit. Janë në përgatitje të fazës së dytë dhe normal punimet do vijojnë që objekti vitin e ri shkollor të jetë funksional dhe nxënësit ta shfrytëzojnë objektin e ri shkollor,” deklaroi Nazmi Dauti. Sektori për arsim komuna e Tetovës.
Ndryshe nga sektori për Arsim, drejtori i Shkollës fillore “Rilindja” në Sellcë, thotë se objekti është larg përfundimit.
“Problematike mbetet faza e dytë, fasadimi, terreni sportiv dhe një mur mbajtës. Ku ka ngec puna se di. Sivjet kanë ndarë një pjesë të mjeteve por sa do arrijnë ti mbulojnë punimet që bëhen nuk e kam të qartë. Por në bazë të dinamikës së punës, sivjet nuk do mund të hyjmë në objektin e ri. Ne mësojmë dhe punojmë në kushte jashtëzakonisht të vështira. Ka një infrastrukturë të vjetërsuar, e ndërtuar në vitin 1954 me gurë dhe llaç por edhe konfiguracioni është tepër i rrezikshëm, pra është shumë rrezik por jemi të detyruar të punojnë,”tha
Ndryshe, në shkollën fillore “Rilindja” të fshatit Sellcë, në një objekt të vjetër mbi 70 vjet dhe në gjendje tejet të vështirë, mësimin e ndjekin 230 nxënës. /Alsat.mk
The post Ende nuk ka përfunduar ndërtimi i shkollës në Sellcë të Tetovës, edhe pse punimet kanë filluar prej vitesh appeared first on Alsat.
