PSG po ndizet. Me titullin e Ligue 1 të vendosur tashmë në “palmares”, lojtarët kuqeblu mendojnë vetëm për lavdinë në Europë, pra në gjysmëfinalet e Ligës së Kampionëve kundër Arsenalit. Këtë e di mirë Luis Enrique, trajneri i parizienëve, i cili foli në konferencë për shtyp në prag të ndeshjes së parë gjysmëfinale, që do të zhvillohet sonte në mbrëmje në Londër:
“Bëhet fjalë për gjysmëfinalet e Ligës së Kampionëve, por mbeten dy ndeshje mes dy skuadrave që kanë të njëjtin objektiv, dy kundërshtarë që duan të jenë më të mirët. Çelësi do të jetë menaxhimi i presionit, tërheqjes mbrapa… Duhet ta menaxhojmë gjithçka në mënyrën më të mirë të mundshme, kjo do të jetë shumë e rëndësishme”.
Sa iu përket mundësive të Arsenalit për të arritur në finale, Luis Enrique tha: “Nuk dua të flas as mirë, as keq për kundërshtarin. Në fund të fundit, është një nga skuadrat më të mira në Europë, po bën një punë të jashtëzakonshme me trajnerin e vet prej disa vitesh. Të gjithë e kemi merituar të jemi këtu. Mua më pëlqen më shumë skuadra ime, prandaj jam këtu. Disa do të preferojnë PSG, të tjerë Arsenalin, kjo është pjesë e jetës”.
Për sa i përket situatës së fundit të PSG-së në kampionat (një humbje dhe një barazim), Enrique u tregua i qartë: “Nuk jam fare i shqetësuar”.
Duke u kthyer te përballja me Arsenalin, tekniku spanjoll shtoi: “Arsenali dhe PSG janë të ngjashëm. Të dyja janë skuadra që dinë të sulmojnë dhe të mbrojnë në grup, kanë individualitete të nivelit të lartë, por pa u varur prej tyre. A është Arsenali skuadra më e mirë që kemi përballuar? Nuk e di, është e vështirë të thuhet. Megjithatë, është një nga skuadrat më të mira në Europë, kjo është e sigurt. Edhe ne jemi një prej tyre”.
Tani mbetet vetëm një objektiv në lojë: “Kemi vetëm një rrugë, të synojmë finalen”.
The post Enrique: Më pëlqen më shumë PSG, prandaj jam këtu. Arsenali? Na ngjan shumë neve appeared first on Telesport.
